zoom

Aktualitet

Shteti Offline dhe Avatari i Korrupsionit

Shteti Offline dhe Avatari i Korrupsionit

Deputetja e opozitës, Jordia Tabaku, ka sulmuar ashpër qeverinë dhe Kryeministrin gjatë fjalës në Kuvend, duke e cilësuar të ashtuquajturin “Revolucion Digjital” si një dështim total dhe një skemë financiare të mbështetur mbi korrupsion dhe mungesë përgjegjësie.

Duke iu referuar premtimeve të bëra në shtator 2025, Tabaku tha se qeveria u paraqit para shqiptarëve me idenë e një shteti modern, inteligjent dhe pa burokraci, por vetëm pak muaj më vonë realiteti është krejt tjetër.

“Sot jemi në janar 2026 dhe ajo flluskë jo vetëm që plasi, por po qelb erë. ‘Shteti Digjital’ është demaskuar si një skemë financiare gllabëruese”, deklaroi ajo.

Në fokus të kritikave ishte Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), për të cilën Tabaku tha se është pajisur me një buxhet “faraonik”, që është rritur gjashtë herë dhe ka kaluar mbi 200 milionë euro në vit, ndërsa në katër vite janë shpenzuar rreth gjysmë miliardë euro nga taksat e qytetarëve.

Sipas saj, këto fonde nuk janë përdorur për shërbime reale, por për tenderë sekretë, koncesione të dyshimta dhe projekte me kosto të fryra, ku fituesit janë të paracaktuar dhe shërbimi mungon.

Tabaku akuzoi gjithashtu se vendimmarrja reale për fondet e AKSHI-t nuk bëhet nga inxhinierët, por nga një rreth i ngushtë jashtë institucioneve, duke përmendur “zyrën private të Zëvendëskryeministrit në hije” dhe kompaninë “EA Tobacco”.

Deputetja u ndal edhe te problematikat e platformës e-Albania, e cila sipas saj prej javësh është jashtë funksionit, duke futur në kaos bizneset shqiptare që nuk arrijnë të kryejnë bilancet, të lëshojnë fatura apo të rinovojnë certifikatat e fiskalizimit.

“Qytetari për ju është vetëm pagues, jo përfitues”, u shpreh ajo, duke kritikuar mungesën e reagimit dhe transparencës nga institucionet.

Një tjetër paradoks i theksuar nga Tabaku ishte rritja e administratës publike dhe e shpenzimeve për paga, pavarësisht investimeve masive në digjitalizim. Sipas saj, administrata është shtuar me rreth 20 mijë punonjës, ndërsa shpenzimet për paga janë rritur me 80%, duke e çuar peshën e administratës dhe tenderëve të AKSHI-t në rreth 20% të Buxhetit të Shtetit.

Në fund të fjalës së saj, Tabaku përmendi edhe projektin “Diella”, të cilin e cilësoi si një simbol propagande të dështuar.

“Diella ra. E-Albania ra. Dhe nën peshën e këtij korrupsioni galopant, është çështje kohe që të bjerë edhe kjo qeveri”, përfundoi ajo, duke shtuar se “algoritmi i durimit të shqiptarëve ka mbaruar”.

Postime të lidhura