zoom

Lajme

Tabaku: “Shteti Digjital u kthye në shtet offline – 500 milionë euro për një sistem që nuk funksionon”

Tabaku: “Shteti Digjital u kthye në shtet offline – 500 milionë euro për një sistem që nuk funksionon”

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, mbajti sot në seancën plenare një fjalim të ashpër ndaj qeverisë, duke e cilësuar të ashtuquajturin “Revolucion Digjital” si një dështim të kushtueshëm, të kapur nga korrupsioni dhe pa asnjë dobi reale për qytetarët dhe biznesin.

Duke iu referuar premtimit të Kryeministrit në shtator 2025 për një shtet modern dhe digjital, Tabaku theksoi se vetëm pak muaj më vonë, realiteti është krejt i kundërt. Sipas saj, “Shteti Digjital” është demaskuar si një skemë financiare gllabëruese, ndërsa shërbimet publike online janë jashtë funksionit prej javësh.

Në qendër të kritikave të deputetes ishte AKSHI, për të cilën Tabaku deklaroi se është shndërruar në simbolin e keqqeverisjes dhe kapjes së shtetit. Ajo solli shifra konkrete, duke theksuar se buxheti i këtij institucioni është rritur gjashtë herë, duke kaluar mbi 200 milionë euro në vit dhe afro 500 milionë euro në katër vite, pa prodhuar shërbime funksionale për qytetarët.

“Biznesi i vogël sot është në kaos. Nuk lëshon dot fatura, nuk bën dot bilancet, nuk rinovon certifikatat e fiskalizimit, ndërsa rrezikon gjoba dhe mbyllje për shkak të rënies së sistemit,” u shpreh Tabaku, duke akuzuar qeverinë për heshtje totale dhe mungesë përgjegjësie përballë kësaj situate.

Deputetja e PD-së ngriti gjithashtu paradoksin e rritjes së administratës publike në kushtet e “digjitalizimit”, duke nënvizuar se numri i punonjësve është shtuar me rreth 20 mijë persona, shpenzimet për paga janë rritur me 80%, ndërsa administrata dhe tenderat e AKSHI-t konsumojnë gati 20% të buxhetit të shtetit. Sipas saj, kjo dëshmon se synimi i qeverisë nuk është modernizimi, por punësimi klientelist dhe pasurimi i një grushti të vogël përfituesish.

Në fjalën e saj, Tabaku ironizoi edhe projektin e shumëpromovuar të Inteligjencës Artificiale “Diella”, duke e cilësuar si një simbol propagande që tashmë është zhdukur pa lënë gjurmë. “Ishte një avatar i bukur nga jashtë, por bosh nga brenda,” u shpreh ajo.

Duke e lidhur dështimin digjital me mungesën e përgjegjësisë institucionale, deputetja paralajmëroi se kjo kulturë e pandëshkueshmërisë shtrihet edhe në menaxhimin e emergjencave, fatkeqësive natyrore dhe sigurinë publike. Ajo theksoi se Shqipëria mbetet vendi me nivelin më të ulët të sigurimeve në Europë, pikërisht për shkak të mosbesimit të qytetarëve ndaj institucioneve.

Në përmbyllje, Tabaku u shpreh se durimi i qytetarëve ka arritur në fund, duke paralajmëruar se pasojat politike janë të pashmangshme. “Bizneset që sot nuk bëjnë dot bilancet për shkak të shtetit offline, nesër do t’i bëjnë qeverisë bilancin politik,” deklaroi ajo, duke shtuar se rënia e sistemeve digjitale është vetëm paralajmërimi i rënies së vetë qeverisjes aktuale.

Postime të lidhura