zoom

Aktualitet

“Diella” është e kompromentuar! Skandali shqiptar i AI që po bën xhiron e botës

“Diella” është e kompromentuar! Skandali shqiptar i AI që po bën xhiron e botës

Një projekt i promovuar si simbol i modernizimit të shtetit shqiptar dhe luftës kundër korrupsionit po kthehet në një nga historitë më të bujshme që lidhen me korrupsionin përmes përdorimit të inteligjencës artificiale në qeverisje. “Diella”, avatarja me inteligjencë artificiale e krijuar për të ndihmuar qytetarët të aplikojnë online për shërbime publike, sot ndodhet në qendër të një skandali që ka kaluar kufijtë e Shqipërisë dhe po raportohet nga mediat më të mëdha ndërkombëtare.

Historia ka bërë xhiron e botës pasi AKSHI, institucioni që zhvilloi dhe administron “Diellën” është vetë nën hetim për korrupsion të rëndë. Prokuroria ka vendosur masën e arrestit shtëpiak drejtoren Mirlinda Karçanaj dhe një tjetër zyrtare përgjegjëse për infrastrukturën digjitale të qeverisë shqiptare, duke i lidhur ata me një organizatë kriminale të dyshuar për manipulim kontratash dhe aplikimesh përmes presionit dhe intimidimit.

Ironia është e fortë, se si një mjet i ndërtuar për të luftuar korrupsionin mund të jetë zhvilluar dhe përdorur nga një sistem që, sipas hetimeve, funksiononte mbi të njëjtat praktika që pretendonte të zhdukte.

Sipas raportimeve ndërkombëtare, AKSHI kontrollon një pjesë të madhe të sistemeve online shtetërore, nga aplikimet për shërbime publike, te kontratat, tenderët dhe platformat digjitale ku qytetarët dhe bizneset ndërveprojnë me shtetin. Por nëse institucioni është i kapur, a mund të jetë i paanshëm algoritmi që ai administron?

Rasti shqiptar po shihet tashmë si një paralajmërim global. Media si New York Times, Libération dhe World Politics Review e shumë të tjera nuk e trajtojnë më thjesht si një histori lokale korrupsioni, por si një shembull se si inteligjenca artificiale, kur zhvillohet në sisteme pa transparencë dhe kontroll apo me tendera të përfituar pa meritë si miku i kryeministrit, Ergys Agasi që është në kërkim, nuk e zhduk korrupsionin, por thjesht e “modernizon” atë.

Ekspertët ngrenë shqetësimin se një AI qeveritare nuk është neutrale në vetvete. Ajo reflekton të dhënat, rregullat dhe interesat e atyre që e ndërtojnë dhe e menaxhojnë. Nëse vendimmarrja njerëzore pas saj është e komprometuar, edhe algoritmi mund të bëhet pjesë e problemit, duke favorizuar aplikime, duke bllokuar të tjera apo duke krijuar iluzionin e barazisë në një sistem realisht të deformuar.

Në Shqipëri, rasti i “Diellës” hap një debat të ri dhe të rrezikshëm për qeverisjen digjitale, nëse teknologjia përdoret për të çliruar qytetarin dhe vendin nga korrupsioni, apo për ta fshehur atë pas një ekrani modern dhe një avatar-i miqësor.

Hetimet janë ende në vazhdim, por dëmi reputacional është bërë. Projekti që u shfaq si vitrinë e inovacionit shqiptar sot përmendet në botë si një shembull se si AI, pa llogaridhënie dhe pa institucione të ndershme, mund të kthehet në një mjet të ri pushteti të korruptuar. /Zoom.al

Postime të lidhura