zoom

Lajme

Shqipëria do të mirëpresë samitin e radhës të NATO-s

Shqipëria do të mirëpresë samitin e radhës të NATO-s

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka bërë të ditur se samiti i ardhshëm i Aleancës do të zhvillohet në Shqipëri. Deklarata u dha këtë të mërkurë gjatë konferencës për mediat në përfundim të Samitit të NATO-s të mbajtur në Ankara.

Rutte sqaroi se vendimi për organizimin e takimit në Shqipëri është miratuar më herët nga vendet anëtare gjatë samitit të zhvilluar në Hagë, ndërsa data zyrtare e mbajtjes së tij do të përcaktohet në një fazë të mëvonshme.

Gjatë konferencës, kreu i NATO-s vlerësoi rezultatet e samitit në Ankara, duke theksuar se aleatët mbeten të bashkuar përballë sfidave të sigurisë dhe të përkushtuar për forcimin e mbrojtjes kolektive.

Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e investimeve të reja në sektorin e mbrojtjes, duke bërë të ditur se miliarda euro do të orientohen drejt modernizimit të infrastrukturës ushtarake, zhvillimit të teknologjive të avancuara dhe projekteve të përbashkëta të inovacionit mes vendeve anëtare.

Sipas Rutte, samiti në Ankara konfirmoi se NATO vijon të jetë e bashkuar dhe e gatshme të mbrojë çdo territor të vendeve anëtare, duke ritheksuar parimin themelor të Aleancës se çdo sulm ndaj një shteti anëtar konsiderohet sulm ndaj të gjithë NATO-s.

“Samiti i ardhshëm do të jetë në Shqipëri. Ky ishte vendimi i marrë në Hagë. Tani jemi në Ankara dhe samiti i radhës do të zhvillohet në Shqipëri. Natyrisht, ende duhet të vendosim për datën e saktë. 27 bilionë euro investime janë të rëndësishme për infrastrukturën dhe facilitete të reja, përdorimin e teknologjisë në avantazhin tonë dhe inovacionit, si dhe zhvillimin e një bashkësie, një platforme të përbashkët për të gjithë aleatët për zhvillim në fushën e mbrojtjes. Ky samit ka treguar se aleanca është më e fortë se kurrë, e bashkuar dhe gati për të luftuar dhe mbrojtur çdo centimetër të territorit të saj. Ne riafirmojmë përkushtimin në mbrojtjen kolektive dhe një sulm ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve dhe ne do të qëndrojmë të gjithë së bashku”, tha Rutte./ Zoom.al

Postime të lidhura