zoom

Aktualitet

Robert Ndrenika flet për mbështetjen ndaj Veliajt në sallë: Djalë jetim, e përballoj burgun për të

Robert Ndrenika flet për mbështetjen ndaj Veliajt në sallë: Djalë jetim, e përballoj burgun për të

Aktori i njohur shqiptar Robert Ndrenika ishte i pranishëm këtë të premte në Gjykatën Administrative, ku po zhvillohej seanca lidhur me padinë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ndaj prokurorit të SPAK, Ols Dado.

Pas përfundimit të seancës, Ndrenika foli për mediat dhe shprehu hapur mbështetjen e tij për Veliajn. Aktori u ndal edhe te deklarata që bëri në sallën e gjyqit, ku i tha kryebashkiakut: “Çfarë të ka mbetur nga burgu, vij e bëj unë për ty”.

Ai e përshkroi Veliajn si një njeri që është rritur me vështirësi dhe sakrifica, ndërsa vlerësoi kontributin e tij për artin dhe teatrin shqiptar.

“Është djalë jetim, i rritur me halle dhe probleme. Që fëmijë ka qenë ndryshe, filozof. Ka ndihmuar shumë teatrin dhe artistët”, u shpreh Ndrenika.

Aktori shtoi gjithashtu se nuk ka arritur të kuptojë akuzat e ngritura nga SPAK ndaj Veliajt, duke deklaruar se, sipas tij, ato mbeten të paqarta.

“Po të jetë nevoja, e bëj unë burgun. E përballoj. Unë nuk i kam kuptuar akuzat”, tha ai para gazetarëve.

Së bashku me Ndrenikën, në mbështetje të Veliajt ishin edhe Gaz Paja, Arjola Demiri dhe Ardit Çuni./ Zoom.al

Postime të lidhura