zoom

Aktualitet

Pas kritikave në rrjet, reagon Ndrenika: Nuk e kuptoj këtë urrejtje, Veliajn e kam bir për shpirt

Pas kritikave në rrjet, reagon Ndrenika: Nuk e kuptoj këtë urrejtje, Veliajn e kam bir për shpirt

Robert Ndrenika ka reaguar pas kritikave dhe komenteve negative që mori në rrjetet sociale për praninë e tij në seancën gjyqësore të Erion Veliajt dhe mbështetjen për kryebashkiakun.

Në një prononcim për mediat, aktori i njohur shqiptar u shpreh se nuk arrin të kuptojë valën e sulmeve ndaj tij, duke theksuar se mbështetja për Veliajn buron nga një marrëdhënie e afërt dhe njerëzore që kanë ndërtuar ndër vite.

Ndrenika foli me emocion për lidhjen që ka me kryebashkiakun e Tiranës, të cilin e cilësoi si “bir për shpirt”.

Ai tha se e njeh mirë jetën dhe karakterin e Veliajt, ndaj nuk hezitoi të ishte pranë tij në momentin e përballjes në gjykatë. Sipas aktorit, vendimi për të marrë pjesë në seancë ishte spontan dhe do të vepronte njësoj për çdo njeri që e konsideron të afërt.

“E kam bir për shpirt. E njoh dhe e vlerësoj, ia njoh jetën dhe ma njeh edhe ai timen. Nëse do të ketë sërish nevojë, prapë do të jem aty.

Njeriu nuk ka të afërm vetëm prindërit, fëmijët apo motrën e vëllanë. Ka edhe njerëz që i zgjedh vetë rrugës dhe i bëhen të afërt.

Veç të tjerash, Erioni realizoi një ëndërr të madhe timen dhe të shumë artistëve: një teatër të madh, të bukur dhe modern në qendër të Tiranës, që shpejt do të jetë gati”, tha Ndrenika.

Gjatë seancës gjyqësore dje, Robert Ndrenika u përlot kur takoi Erion Veliajn në sallë dhe iu ofrua që ta bënte ai pjesën e burgut që i ka mbetur./ Zoom.al

Postime të lidhura