zoom

In Zoom

RAMA SHET VANGJUSH DAKON. Dikur e ngrinte në piedestal: Durrësi do ta kujtojë me respekt

Ashtu siç ka bërë me çdo bashkëpunëtor të afërt kur drejtësia s’ka mbajtur dot më dhe u ka trokitur në derë, Edi Rama e shiti edhe Vangjush Dakon.

Ai i tha nga Berati se tani për qeverinë e tij është një fazë e re dhe se tani edhe njerëzit e lidhur me pushtetin që akuzohen për korrupsion duhet t’i bëjnë hesapet me drejtësinë.

“Kemi hyrë në fazë të re. Duhet bërë durim edhe në luftën kundër korrupsionit. Për herë të parë në historinë e popullit tonë po goditen njerëz të lidhur me pushtetin. Kjo nuk është e lehtë. Kjo të bën të ndihesh jo mirë se s’ke si ndihesh mirë kur sheh që dikush që ka qenë përkrah teje, është përkrah avokatit përballë prokurorit apo gjykatësit. Me siguri dicka ka ndodhur. Edhe kur e sheh se sim und të përdoret forca e pushtetit të drejtësisë për të bërë edhe gjëra që nuk shkojnë. Të gjitha janë pjesë e një procesi dhe rruga është e përpjetë, jo dishezë. Kini parasysh që për herë të parë ndodh kjo. Për këtë duhet të jemi ne krenarë për PS”, deklaroi kryeministri.

Por pak vite më parë, në fushatën elektorale të 2019-ës, ai e shihte njeriun e tij të besuar në Durrës si një politikan të cilin qyteti i tij do ta kujtonte gjatë me respekt.

“Ju falënderoj për këtë mbështetje. Durrësi i ndryshuar është realitet falë Vangjush Dakos. Vangjushi e nisi drejtimin e Bashkisë me një grusht votash, falë punës, fitoi në mënyrë bindëse, kurse më pas fitoi në mënyrë triumfuese. Ajo që sot duhet thënë shumë qartë është se kush përpiqet të shkelë baltë mbi Vangjushin nuk do që qytetarët të kujtojnë diçka. Në Durrës Vangjushi ka fituar kur në pushtet ishte Saliu me të gjithë skuadrën më të mirë që ka pasur PD në historinë e saj dhe me të gjithë mekanizmat e pushtetit, që ju e dini si përdoreshin në kohën e Saliu, e nga të akuzuar janë kthyer në akuzues. Dako fitoi Durrësin kur ishte Saliu, ishte Jozefina dhe Sokol Olldashi, u dashka të blej vota me Gridën e Salianjin. E thënë ndryshe këtu në Durrës, të kesh mundur Sokol Olldashin, një nga figurat më të spikatura, një orator dhe njeri i njohur për forcën e larmishme në fushata elektorale, kur partia e tyre ka qenë në pushtet, po bleheshkan sot. Ajo që mbetet janë veprat. Durrësi do ta kujtoj me gjithmonë e me shumë respekt periudhën kur Dako e drejtonte bashkinë, falë gjurmëve që janë në këtë qytet”, shprehej Rama në qershor të 2019-ës.

Kjo ishte koha kur Vangjush Dako nuk ishte shpallur ende “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vendimi u shpall vetëm një muaj më vonë, në korrik 2019.

Por Edi Rama vazhdoi ta mbronte edhe pas kësaj.

“Vangjush Dako ka qenë, është dhe do të jetë miku im. Nuk mi përcakton DASH se kam dhe kë nuk kam mik. Miqtë mi përcakton morali dhe bindja ime. Edhe në burg të shkojë nesër Vangjush Dako është miku im, por me Dakon kurrë nuk kam bërë kurrë dhe as kemi bashkëpunuar në asnjë shkelje të ligjit të Shqipërisë. Stepet drejtësia nga kjo që thashë unë? Kush jeni ju që ju jepni moral të tjetërve. Ju nuk keni asnjë shans të më bëni moral mua. Mua në xhepin tim nuk më gjen asnjë asnjë qindarkë që nuk më takon nga puna ime. Nëse është miku im, dhe bën shkelje dhe të shkojë në burg. Nëse ndaj tij do të ketë akuzë, do të largohet nga PS. Akuzën ndaj Tahirit e bëri prokuroria dhe ndaj u përjashtua nga PS. Tom Doshi është përjashtuar nga PS. Unë nuk e përjashtoj dot nga Shqipëria dhe nga politika. Tom Doshi nuk ka ardhur aty me makinën time, por me votat e popullit të Shkodrës” – justifikohej Rama kur i kujtonin se miqtë e tij më të ngushtë ishin dizenjuar nga SHBA si të përfshirë në korrupsion.

Tani kohët kanë ndryshuar. Siç e tha edhe vetë kryeministri, qeveria e tij ka hyrë në një fazë të re. Në mandatin e tretë i duhet padyshim një fabul e re: Me opozitën që s’duket gjëkundi, pa LSI-në që e akuzonte për korrupsion, pushteti ka nisur të hajë të vetët. /Zoom.al