zoom

In Zoom

Rasti Llalla, Italia injoron SHBA. Si nisi përplasja mes ish–Kryeprokurorit dhe Ambasadës Amerikane

Ish –prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla nuk do të bëjë qëndrojë asnjë ditë në qeli. I dënuar me vendim të formës së prerë me 2 vjet burg dhe me 5 vjet heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike për mosdeklarim të pasurisë, ai ka fituar të drejtën e azilit politik në Itali.

Italia e refuzoi kërkesën e autoriteteve shqipare për ekstradim dhe vendosi ta pajisë atë me pasaportë italiane. Sokol Hazizaj, avokati i ish –prokurorit, shpjegoi se drejtësia italiane arriti në përfundimin se “dënimi ishte më i madh sesa duhet” dhe se dënimi kishte “sfond politik”.

“Ne dërguam vendimet gjyqësore pranë drejtësisë italiane dhe 2 prej tyre u kanë bërë përshtypje si diskriminim. Së pari marzhi i rëndë për një vepër penale, ata konstatuan se këto organe kërkonin burg për një njeri që kreu një vepër penale që parashikon dënimin me gjobë”, -thotë Hazizaj.

Kur drejtësisë shqiptare iu kërkua që të ta pezullonte dënimin me burg për shkak të një sëmundje nga e cila vuan ish –Prokurori i Përgjithshëm, ajo refuzoi prerazi.

Ai përmendi edhe për sfondin politik që ka mbuluar hetimin e Llalës që prej përplasjes së tij me ambasadorin amerikan në Shqipëri, Donald Lu.

“Mënyra e trajtimit të ish-funksionarëve të lartë nga drejtësia në mënyrë të njëanshme brenda së cilës është dhe arsyetimi i gjykatave shqiptare dhe mënyra se si ndalon një shtetas në atë mënyrë ka një background politik për të mbajtur në burg një njeri të tillë”, u shpreh avokati.

PËRPLASJA LALLA – LU

Adriatik Llalla shërbeu si prokuror i përgjithshëm në përiudhën 2012 – 2017. Pas një përplasje publike me ambasadorin amerikan në Tiranë, Donald Lu, atij iu ndalua hyrja në SHBA së bashku me familjen, pas dyshimeve se ishte përfshirë në korrupsion. Departamenti Amerikan i Shtetit nuk pati ndonjë proces në vazhdim ndaj Llallës, por siç ndodh në rastet e shpalljes “non grata”, shpjegoi se vendimi ishte marrë në bazë të opinionit publik dhe akuzave për korrupsion.

Ambasadori Lu, gjatë mandatit të të cilit u miratua reforma në drejtësi, e akuzoi Llalën se ai kishte ndërhyrë për ta bllokuar këtë reformë.

“Prokurori i Përgjithshëm është kundër reformës në drejtësi. Për më shumë se 18 muaj ka folur kundër reformës”, deklaroi Lu më 2 shkurt 2017.

Në të njëjtën ditë, pak orë më vonë, Prokuroria e Përgjithshme reagoi ashpër me një deklaratë publike. Ajo e akuzoi ambasadorin Lu për shantazh, pasi kishte ndërhyrë për të kërkuar mbylljen e hetimeve për një kompani nafte në Shqipëri.

“Zoti Lu mendon se ka në dorën e tij fatin e Prokurorisë, kur shantazhon institucionin për mbyllje hetimesh apo me heqje vizash. Duhet ta ketë të qartë ai dhe kushdo tjetër që për të përmbushur detyrimet kushtetuese dhe ligjore, prokurorët e Republikës nuk kanë nevojë për viza. Këto presione të Ambasadorit Amerikan në Tiranë janë tipike sorosiane, të cilat kërkojnë të manipulojnë opinionin publik dhe të zhvlerësojnë institucionet” – thuhej në deklaratën e Prokurorisë së Përgjithshme.

Pak më vonë, Llalla shpjegoi se bëhej fjalë për “kompaninë Bankers Petroleum, pasi sekretari Tillerson kishte aksione në këtë kompani”.

LETRA E LLALLËS KUNDËR LU NË KONGRESIN AMERIKAN

Përplasja vazhdoi edhe pas mbarimit të mandatit të Adriatik Llallës. Në maj të vitit 2017, ende në detyrë, Prokurori i Përgjithshëm i kishte dërguar Kongresit Amerikan një letër të gjatë me një sërë denoncimesh për ambasadorin Lu. Ai i njoftonte ligjvënësit amerikanë, se duke shkelur normat dhe rregullat diplomatike, ambasadori i kishte kërkuar të arrestonte pa prova Ilir Metën, që në atë kohë mbante detyrën e Kryetarit të Kuvendit.

“Në një mënyrë jo-diplomatike dhe kundër çdo norme të garantuar nga Konventa e Vjenës, ambasadori Lu i sugjeroi Prokurorit të Përgjithshëm se duhet të arrestonte Kryetarin e Parlamentit dhe gjithashtu kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta. Në pretendimet e Z. Lu, Kryetari i Parlamentit Meta ishte i korruptuar dhe po pengonte reformën në drejtësi dhe se arrestimi i tij do ta ndihmonte Shqipërinë të integrohej sa më shpejt në bashkimin Evropian. Një kërkesë e tillë, tërësisht e papërgjegjshme, e detyroi Prokurorin e Përgjithshëm ta ndërpriste takimin, duke shpjeguar se arrestimi i çdo personi, përfshi edhe zyrtarët, mund të kryhet vetëm mbi bazën e provave” – thuhet në letrën e Llallës, dërguar Kongresit.

Por Llalla shkoi edhe më tej. Ai i shkruante Kongresit se Donald Lu po kërcënonte edhe deputetët për të miratuar reformën në drejtësi me çdo kusht.

“Ndërkohë, ambassadori Lu, në një përpjekje të fundit, nisi të ushtronte trysni të hapur ndaj disa deputetëve të parlamentit shqiptar që të miratonin draftian e mbështetur prej tij. Disa mesazhe telefonike u publikuan në mediat shqiptare, në të cilat ambasadori Lu u thoshte deputetëve se në rast se nuk e miratonin draft-Kushtetutën, ai do të merrte masa ndaj tyre. Në bazë të këtyre mesazheve, ambasadori Lu i informonte ata se nëse këta deputetë nuk do të votonin për draftin, ata duhet të kishin parasysh se ambasada amerikane në Tiranë do t’i vendoste në një listë të zezë penalitetesh. Ekzistenca e këtyre mesazheve u konfirmua publikisht nga disa ligjvënës dhe nuk u mohua nga ambasadori Lu”, – shkruan Llalla.

Prokurori i Përgjithshëm e akuzoi ambasadorin edhe për fshehje të plotë të problemit të kanabizimit të Shqipërisë, në një prej periudhave më të errta që po kalonte vendi përsa i përket kultivimit dhe trafikut të drogës.
“Përgjatë 2016-s dhe muajve të parë të 2017-s, ambasadori Lu dështoi që ta përmendte problemin me drogat në çdo rast. Për më tepër, ambasadori Lu është shprehur në më shumë se një rast në takime jo-publike se “Drogat nuk janë problemi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”- thuhet në letër.

Letra u publikua në prill të vitit 2018 kur Llalla s’ishte më në detyrë. Reagimi i ambasadorit Lu ishte jashtë gjuhës diplomatike. Ai i hodhi poshtë deklaratat e Llallës si mashtrime, e akuzoi si të korruptuar dhe e paralajmëroi se do të shkonte në burg.

“Ish-Prokurori i Përgjithshëm Llalla është një zyrtar publik i korruptuar dhe diskredituar, i cili është nën hetim aktiv për pastrim parash dhe pasuri masive të pashpjeguara. Nuk është për t’u habitur që vazhdon të flasë kundër reformës në drejtësi sepse tani rrezikon të shkojë në burg për korrupsionin e tij. Ai ka pretenduar se brenda katër muajsh nga mbërritja ime në Tiranë, unë i paskam thënë të arrestojë ish-Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta. Kjo është një gënjeshtër absurde nga Z. Llalla, pa kurrfarë baze në fakte. Gënjeshtra e tij fyese është një ofendim për Presidentin Meta dhe popullin shqiptar” –deklaronte Lu.

Përpara publikimit të saj, me shumë gjasë në dijeni të ekzistencës së letrës, ambasadori Lu i kujtoi opinionit publik se Llalla ishte një person “non grata”, diçka që ai s’e bëri në asnjë rast tjetër, si për shembull me ish-kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako apo ish –deputetin Tom Doshi.

“Llalla do të ishte i pari person në botë, që sipas këtij ligji që i lejon Presidentit të Shteteve të Bashkuara t’i ndalojë hyrjen në Shtetet e Bashkuara një zyrtari të korruptuar nga një vend tjetër… Këtu ngrihet edhe një pyetje tjetër, nëse ai ka shkelur ligjet e vendit tuaj” –deklaronte Lu.

Kur gjykata shqiptare e dënoi ish –Prokurorin e Përgjithshëm, Donald Lu po shërbente si ambasador i SHBA në Kirgistan. Por Ambasada Amerikane në Tiranë mbajti të njëjtin qëndrim ndaj Llallës. Ambasadorja Yuri Kim e përshëndeti dënimin e tij, duke u kujtuar zyrtarëve se askush s’është mbi ligjin.

“Është mirë të shihet drejtësia e vënë kundër zyrtarëve të korruptuar. Prokurorët duhet të vazhdojnë të ndërmarrin veprime kundër zyrtarëve, pa marrë parasysh sa të lartë apo të fuqishëm janë, të cilët keqpërdorin pozitën e tyre për t’u pasuruar. Askush nuk është mbi ligjin,” shkroi ajo në rrjetet sociale pas shpalljes së vendimit.

Por insistimi i SHBA për ta parë në burg Adriatik Llallën nuk e impresionoi drejtësinë dhe autoritet italiane. Edhe pse bëhej fjalë për një person “non grata” në SHBA, ata i ofruan ish -Prokurorit të Përgjithshëm një pasaportë italiane nën kërkesën për azil politik, duke e vendosur hetimin dhe dënimin e tij në sfondin politik mbi të cilin ai nisi. /Zoom.al