zoom

Lajme

Rama, nga plazhi i Dhërmiut: Ja përse nuk blejmë avionë dhe zjarrfikëse për të shuar zjarret

Rama, nga plazhi i Dhërmiut: Ja përse nuk blejmë avionë dhe zjarrfikëse për të shuar zjarret

Teksa ndodhet në Dhërmi duke kaluar pushimet në vilën qeveritare, në një kohë që vendi po digjet nga zjarret, kryeministri Edi Rama ka gjetur kohën për t’iu përgjigjur zërave që e kritikojnë përse qeveria nuk blen avionë dhe helikopterë e zjarrfikëse për të përballuar situatat.

Në një postim në “X”, teksa pranon se të paturit më shumë mjete patjetër që do të ishte më mirë, Rama shton se edhe pse fqinjët tanë kanë mjete ajrore për fikjen e zjarreve, përsëri po përcëllohen nga flakët.

Ndërkohë, më 29 korrik 2025, Ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu deklaroi publikisht se “janë alokuar fondet, kemi buxhetin dhe kemi realizuar edhe procedurën për blerjen e dy avionëve zjarrfikës”.

Postimi i plotë:

Ka shpërthyer një debat pse nuk blen Shqipëria avionë zjarrfikës, ndërkohë që ka ca llogari që duhen bërë dhe zjarret e ditëve të fundit nuk janë assesi çështje e një apo dy apo edhe tre avionësh! Dakord, mirë do ishte t’i kishim, por…

Duke i siguruar të gjithë se kemi këto ditë mjete nga ajri më shumë se çdo vit më parë, falë flotës sonë dhe mbështetjes nga Mekanizmi Europian apo Emiratet e Bashkuara Arabe, i ftoj të gjithë të ngrenë një pyetje: Po fqinjët tanë, Greqia dhe Italia apo Turqia dhe Spanja, që po përcëllohen më keq se ç’do vit tjetër kanë vallë mungesë avionësh?!

Ja një informacion bazuar në referencat e vetë shtypit grek për Greqinë për shembull:

Greqia ka një flotë ajrore totale prej 77 avionësh zjarrfikës;  helikopterë janë pakashumë 20; automjete të tjera afërsisht 3,500 dhe zjarrfikëse të të gjitha llojeve e funksioneve.

Pra, e thënë thjeshtë. Sa më shumë aq më mirë padiskutim, por prapëseprapë kurimi i pasojave nuk i eliminon shkaqet, të cilat janë disa, janë njësoj për të gjithë shtetet që po i vuajnë zjarret këtë sezon (disa shumë më keq se ne meqë ra fjala) dhe janë shumë më komplekse se sa duken kur numëron avionët.

Postime të lidhura