zoom

Lajme

Qeveria greke ofron 160 mln euro për fermerët për t’i dhënë fund protestave

Qeveria greke ofron 160 mln euro për fermerët për t’i dhënë fund protestave

Qeveria greke ka bërë publike një paketë financiare në vlerën e 160 milionë eurove për mbështetjen e fermerëve, në përpjekje për t’i dhënë fund protestave që kanë paralizuar akse të rëndësishme rrugore në vend. Njoftimi u bë nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis gjatë seancës parlamentare për miratimin e buxhetit të vitit 2026.

Buxheti u miratua me 156 vota pro, të siguruara nga shumica qeverisëse dhe tre deputetë të pavarur. Gjatë fjalës së tij, Mitsotakis prezantoi katër boshtet kryesore të politikës qeveritare: garantimin e stabilitetit politik, raportin me opozitën, menaxhimin e krizës së strehimit dhe adresimin e pakënaqësive të fermerëve.

Kreu i qeverisë e cilësoi stabilitetin demokratik si një aset të rëndësishëm kombëtar, ndërsa kritikoi opozitën për, sipas tij, mungesë realizmi në politikat që propozon për sektorin bujqësor. Ai propozoi gjithashtu ngritjen e një komiteti ndërpartiak për sektorin primar, i cili do të ketë katër muaj kohë për të hartuar rekomandime që do të jenë detyruese edhe për qeveritë e ardhshme.

Në fokus të veçantë ishte situata e fermerëve, për të cilët u njoftua një fond shtesë prej 160 milionë eurosh.

Prej dy javësh, fermerët grekë protestojnë duke renditur një sërë kërkesash për qeverinë. Dy ditë më parë ata refuzuan takimin me përfaqësues të qeverisë dhe paraqitën një listë me 34 kërkesa.

Ata kanë kërkuar nga qeveria greke një tarifë energjie elektrike fikse prej 7 cent për kw/h dhe kundërshtojnë shkrirjen e Agjencisë shtetërore të subvencioneve me Autoritetin e të ardhurave publike. Fermerrët përalajmërojnë se do t’i përshkallëzojnë protestat më tej, ndërsa bllokadat e tyre dyjavore kanë shënjestruar deri më tani pikat doganore, autostradat më të mëdha, rrugët lokale si dhe hyrjet e dy porteve./ Zoom.al

Postime të lidhura