Aplikacion
Prokuroria e Durrësit ka vënë nën hetim 12 persona të dyshuar për përfshirje në një skemë falsifikimi dokumentesh, shpërdorimi detyre dhe pastrimi të produkteve të veprës penale, lidhur me tjetërsimin e pronave në zonën bregdetare të Durrësit.
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, gjykata ka caktuar masa sigurie “Arrest në burg”, “Arrest në shtëpi” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për personat nën hetim.
Hetimi për procedimin penal nr.582 të vitit 2022 nisi pas konstatimit të problematikave gjatë inventarizimit të regjistrave hipotekorë në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) Durrës, ku u ngritën dyshime për falsifikim dokumentesh dhe regjistrime të paligjshme pasurish.
Sipas hetimeve, është zbuluar një mekanizëm për falsifikimin dhe përvetësimin e pasurive në 6 raste në zonën kadastrale 1574, në Kallm dhe ish-NB Frutore Durrës, zonë pranë vijës bregdetare.
Personat nën hetim R.Sh, Sh.Sh, A.M, V.M, B.Xh dhe F.Xh dyshohet se, në bashkëpunim me punonjës të ASHK Durrës, kanë falsifikuar dokumentacionin për regjistrimin e pronave me qëllim përfitimin material.
Sipas Prokurorisë, dokumentet e falsifikuara janë futur në arkivën e ish-ASHK Durrës, duke marrë numra reference, në disa raste të dubluara, ndërsa më pas janë regjistruar në regjistrin e pasurive të paluajtshme me data fiktive.
Hetimi ka evidentuar edhe raste kur fletët origjinale të regjistrave janë hequr dhe pasuritë me zë kadastral “shtet” janë zëvendësuar me dokumente të falsifikuara në emër të personave nën hetim. Në disa raste, këto pasuri dyshohet se janë shitur më pas te persona të tretë për të humbur gjurmët.
Ndërkohë, punonjës të ASHK Durrës, shtetasit A.K, B.Z, R.Z, J.G, L.D dhe A.C, dyshohet se kanë regjistruar pasuritë mbi bazën e dokumentacionit të falsifikuar dhe nuk kanë kryer verifikimet e parashikuara nga ligji.
Gjykata ka vendosur masën “Arrest me burg” për shtetasit R.Sh, A.K, B.Z dhe R.Z, ndërsa masën “Arrest në shtëpi” për Sh.Sh, V.M, A.M dhe B.Xh.
Për shtetasit F.Xh, J.M, L.D dhe A.C është vendosur masa “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Në kuadër të hetimit, me kërkesë të Prokurorisë është vendosur edhe sekuestro preventive ndaj 13 pasurive të paluajtshme në Durrës, me sipërfaqe që variojnë nga 500 deri në 27 mijë metra katrorë.
Spanja i rremben titujt Lionel Messi-t, Rodri shpallet lojtari i turneut në Kupën e Botës