zoom

Aktualitet

Prokuroria zbardh skemën: Si u tentua të bëhet trafik i mbetjeve të rrezikshme me kontejnerë

Prokuroria zbardh skemën: Si u tentua të bëhet trafik i mbetjeve të rrezikshme me kontejnerë

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Durrës ka ndërmarrë një aksion të gjerë penal lidhur me një çështje të rëndë mjedisore, duke lëshuar 33 masa sigurie personale.

Sot zyrarisht, organi i akuzës konfirmoi se deri tani janë ekzekutuar 20 prej tyre, ndërsa 13 persona janë shpallur në kërkim. Mes të dyshuarve ka drejtues kompanish, përfaqësues biznesi, punonjës doganash si dhe zyrtarë të institucioneve shtetërore mjedisore.

Procedimi penal ka nisur në korrik 2024, pas një sinjalizimi nga OLAF, zyra europiane kundër mashtrimit, e cila ngriti dyshime për një ngarkesë që dyshohej se përmbante mbetje të dërguara nga Shqipëria drejt Tajlandës. Pas verifikimeve, u konstatua se një subjekt kishte eksportuar rreth 2.816 ton mbetje, të shpërndara në 102 kontejnerë.

Ngarkesa u refuzua nga autoritetet tajlandeze dhe u rikthye më 28 tetor 2024 në Portin e Durrësit me anijen “Moliva XA443A”. Më pas kontejnerët u sekuestruan dhe u transferuan në Porto Romano, ku qëndrojnë në kushte sigurie mjedisore dhe fizike.

Meqenëse në Shqipëri nuk u gjetën laboratorë të specializuar për analiza të tilla, mostrat u dërguan për testim në një laborator në Itali, në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe projektin EU4LEA. Procesi u krye sipas protokolleve ndërkombëtare për trajtimin e materialeve potencialisht të rrezikshme.

Sipas akt-ekspertimit, materiali rezultoi të jetë pluhur i dalë nga filtrimi i gazrave të furrave elektrike të çelikut (EAF). Ai klasifikohet si mbetje e rrezikshme me kod 10 02 07* sipas katalogut europian të mbetjeve.

Analizat zbuluan përmbajtje elementësh dhe përbërjesh kimike që paraqesin:

  • rrezik për shëndetin e njeriut, përfshirë efekte toksike në riprodhim
  • rrezik serioz për mjedisin
  • dëm të veçantë për ekosistemet ujore

Materiali, sipas legjislacionit, duhet të trajtohet me procese të kontrolluara rikuperimi dhe stabilizimi përpara çdo depozitimi përfundimtar.

Nga shqyrtimi i kontratave, dokumentacionit financiar, regjistrave mjedisorë dhe të dhënave të institucioneve si AKM, EMS, Autoriteti Portual dhe Dogana Durrës, prokuroria dyshon se është vepruar në mënyrë të organizuar për të fshehur natyrën reale të mbetjeve.

Sipas hetimit, mbetjet e rrezikshme dyshohet se janë paraqitur me dokumentacion të manipuluar, me qëllim:

  • eksportimin e paligjshëm jashtë vendit
  • tregtimin e tyre brenda territorit shqiptar
  • shmangien e ndalimeve ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare

Në listën e personave me masa sigurie përfshihen drejtues dhe administratorë të kompanive private, mes tyre edhe përfaqësues të Kurum International, Sokolaj sh.p.k., Alliance Resource, EMS APO dhe subjekte të tjera. Po ashtu janë nën masë sigurie disa punonjës doganash në Durrës, si dhe zyrtarë të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Autoritetit Portual.

Veprat penale për të cilat dyshohen përfshijnë:

  • kontrabandë mallrash të ndaluara
  • transport dhe menaxhim të paligjshëm mbetjesh
  • falsifikim dokumentesh
  • shpërdorim detyre
  • pastrim të produkteve të veprës penale.

Prokuroria e Durrësit thekson se nuk bëhet fjalë për një rast të izoluar, por për një zinxhir veprimesh të kundërligjshme me pasoja të rënda për mjedisin, shëndetin publik dhe integritetin e institucioneve./ Zoom.al

Postime të lidhura