zoom

Aktualitet

Operacion i madh për mbetjet e “Kurum”, lëshohen 33 masa sigurie. Të përfshirë edhe drejtues

Operacion i madh për mbetjet e “Kurum”, lëshohen 33 masa sigurie. Të përfshirë edhe drejtues

Një aksion i koordinuar mes strukturave të Policisë në Durrës dhe Tiranë është zhvilluar për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës në lidhje me hetimin për menaxhimin e mbetjeve që lidhen me kompaninë “Kurum”.

Sipas burimeve, autoritetet kanë caktuar masa sigurie për 33 persona të dyshuar se kanë rol në këtë çështje. Mes tyre përfshihen edhe përfaqësues në nivele drejtuese të kompanisë, si dhe individë të lidhur me institucione shtetërore.

Pjesa më e madhe e vendimeve të gjykatës parashikon izolim në ambientet e paraburgimit. Konkretisht, 26 persona janë lënë në “arrest me burg”, ndërsa për 7 të tjerë është vendosur masa “arrest në shtëpi”.

Ndër emrat për të cilët është caktuar masë më e lehtë sigurie përmendet edhe ish-drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Arta Dollani. Hetimi përfshin gjithashtu figura nga biznesi dhe zyrtarë të lidhur me strukturat e mjedisit dhe doganave, të cilët dyshohet se kanë pasur përfshirje në procedurat që po verifikohen.

Hetimet lidhen me dyshimet për shkelje ligjore në menaxhimin dhe transportin e mbetjeve industriale të kompanisë “Kurum”, të cilat dyshohet se janë trajtuar në mënyrë të paligjshme përmes kontejnerëve.

Operacioni vijon për kapjen dhe shoqërimin e personave ndaj të cilëve janë lëshuar vendimet, ndërsa hetimet për çështjen e mbetjeve pritet të zbardhin më tej rolet dhe përgjegjësitë e secilit të dyshuar.

Eksporti i dyshuar i mbetjeve të rrezikshme nga Shqipëria u denoncua më 5 gusht 2025 nga ‘Basel Action Network”, një organizatë mjedisore me qendër në Shtetet e Bashkuara. BAN ngriti alarmin se një anije gjigande kontenjerësh prej 175 mijë tonësh e linjës ‘Maersk’ u zhduk në fund të korrikut nga radarët afër Cape Town në Afrikën e Jugut, pas një sinjalizimi të bërë prej saj tek autoritetet vendase.

Bazuar në të dhënat e ofruara nga një sinjalizues, “Basel Action Network”, BAN, beson se anija ‘Maersk Campton’ dhe një anije e dytë kontenjerësh e së njëjtës linjë, ‘Maersk Candor’, kanë ngarkuar në portin e Durrësit në fillim të korrikut rreth 100 kontenjerë me mbetje të rrezikshme, e cila vjen nga hiri i oxhaqeve metalurgjike elektrike (EAFD) me destinacion Tajlandën.

Bazuar në sinjalizimin e BAN, autoritet portuale i kanë bllokuar në Singapor kontenjerët e nisur nga Shqipëria dhe ato pritet të rikthen në Durrës në muajt e ardhshëm.  Prokuroria ka identifikuar kompaninë “Sokolaj” shpk, një kompani import-eksporti mineralesh me qendër në Durrës në pronësi të shtetases Gjovana Sokolaj si eksportuese të kontenjerëve dhe kompaninë turke “Kurum International” sh.a si burimin e këtyre produkteve.

Ministria e Mjedisit në një reagim për mediat pranoi që mbetjet e ngarkuara në Durrës vinin nga metalurgjiku. “Vëllimet e mallrave të cilat dyshohen se përmbajnë mbetje të dala nga procesi teknologjik i realizuar nga kompani ndërkombëtare që operojnë pranë kompleksit metalurgjik në Elbasan”, tha ministria në një sqarim për mediat.

Kompania Kurum ka mohuar të ketë lidhje me eksportin e mbetjeve të rrezikshme.

Sipas Prokurorisë së Durrësit, hetimi për kontabandën e mbetjeve të rrezikshme drejt Tajlandës zbuloi shkelje masive të legjislacionit mjedisor nga kompanitë “Kurum International” dhe “Sokolaj” si dhe nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Dogana e Durrësit dhe kompania koncesionare e terminalit lindor në portin e Durrësit./ Zoom.al

Postime të lidhura