Aplikacion
Banorët pranë zonës industriale të Porto Romanos në Durrës po jetojnë prej më shumë se një viti me pasiguri dhe frikë, pas konfirmimit se mbetjet industriale të depozituara aty përbëjnë rrezik serioz për shëndetin dhe mjedisin.
Rezultatet e analizave të kryera në një laborator të specializuar në Itali treguan se mostrat e marra nga rreth 2.800 ton mbetje të prodhuara nga industria e çelikut kanë përbërje toksike dhe pasoja të mundshme afatgjata, veçanërisht për ekosistemet ujore. Materiali është klasifikuar si i rrezikshëm, ndërsa ekspertët paralajmërojnë për potencial kancerogjen dhe ndikim të dëmshëm në mjedis.
Megjithëse hetimet penale kanë çuar në identifikimin e përgjegjësive dhe masa sigurie për dhjetëra persona, çështja më e ndjeshme për komunitetin mbetet pa përgjigje: çfarë do të bëhet konkretisht me këto mbetje dhe ku do të trajtohen apo asgjësohen ato?
Prej afro 15 muajsh, sasia e konsiderueshme e mbetjeve vijon të qëndrojë e depozituar në Porto Romano, duke rritur shqetësimin e banorëve që jetojnë pranë zonës industriale. Publikimi i të dhënave shkencore që i cilësojnë si të rrezikshme ka shtuar presionin për një zgjidhje të shpejtë institucionale.
Ndërkohë, në dosjen hetimore janë ngritur dyshime edhe për mungesë gjurmësh të sasive të tjera me mbetje të dyshimta në zonën e Elbasanit, çka sugjeron se rasti mund të jetë pjesë e një skeme më të gjerë të menaxhimit të paligjshëm të mbetjeve industriale.
Policia e Durrësit ka bërë të ditur se janë zbatuar 20 nga 33 masat e sigurisë të vendosura nga gjykata në kuadër të hetimeve për këtë çështje. Mbetjet u rikthyen në Shqipëri në vjeshtën e vitit 2024, pasi ishin refuzuar jashtë vendit, ndërsa kishin si destinacion përfundimtar Tajlandën.
Hetimet vazhdojnë, por ndërkohë, fati i mijëra tonëve mbetje të rrezikshme që ndodhen ende në Porto Romano mbetet i paqartë, duke lënë komunitetin lokal në pritje të një zgjidhjeje konkrete./ Zoom.al