Aplikacion
Mëngjesin e kësaj të diele ka nisur zhvendosja e 102 kontejnerëve me mbetje toksike të kompanisë “Kurum”, të cilët kanë qëndruar më shumë se një vit në Porto Romano.
Kontejnerët u zhvendosën në fshatin Vrinë, pranë Shënavlashit, afër sitit të ri të pallateve të ndërtuara për të pastrehët e tërmetit. Procesi po kryhet me urdhër të Prokurorisë dhe nën mbikëqyrjen e autoriteteve.
Zhvendosja ka për qëllim menaxhimin e sigurt të materialeve dhe vijimin e procedurave ligjore për trajtimin e tyre. Në operacion po asiston edhe Policia e Durrësit për të garantuar sigurinë gjatë transportit dhe zhvendosjes.
Pak javë më parë, për skandalin me mbetjet e dyshuara toksike, Gjykata e Durrësit firmosi 33 urdhër-arreste, duke përfshirë jo vetëm personel të kompanive përgjegjëse, por edhe punonjës të institucioneve shtetërore.
Sipas organit të akuzës, shkelje të rënda të legjislacionit mjedisor u konstatuan tek kompanitë “Kurum” dhe “Sokolaj”, si dhe pranë institucioneve si Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Dogana e Durrësit. Nga këto masa, 20 u ekzekutuan, ndërsa 8 persona mbeten në “arrest në burg”, 5 në “arrest shtëpie” dhe 7 me “detyrim paraqitjeje”.