Aplikacion
Policia e Tiranës ka publikuar masat e marra për protestën e opozitës që pritet të zhvillohet nesër përpara Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Sipas njoftimit zyrtar, tubimi është deklaruar nga Partia Demokratike dhe do të zhvillohet në orën 19:00. Në funksion të mbarëvajtjes së protestës dhe garantimit të rendit publik, autoritetet kanë vendosur kufizime të lëvizjes në disa segmente kryesore të kryeqytetit.
Në masat e shpallura përfshihet ndalimi i qarkullimit dhe parkimit të automjeteve në pjesë të bulevardit “Dëshmorët e Kombit” që nga mbrëmja e 7 majit, konkretisht nga zona e “Urës së Dajtit” deri te rruga “Ismail Qemali”.
Ndërkohë, në ditën e protestës, më 8 maj, duke nisur nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokime të tjera në segmentin nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në disa rrugë lidhëse si “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia u ka bërë thirrje organizatorëve që të respektojnë oraret dhe itinerarin e përcaktuar, ndërsa qytetarëve u kërkohet mirëkuptim për vështirësitë në qarkullim. Po ashtu, autoritetet paralajmërojnë se do të ndërhyjnë në rast të veprimeve që cenojnë rendin dhe sigurinë publike./ Zoom.al