Aplikacion
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e opozitës që do të zhvillohet më 8 maj në Tiranë. Gjatë një deklarate për mediat jashtë Kuvendit, ai shmangu dhënien e detajeve mbi organizimin dhe mënyrën se si do të zhvillohet protesta, duke theksuar se opozita nuk do ta bëjë publik planin e saj paraprakisht.
Berisha u shpreh se qytetarët duhet të bashkohen në protestë për të kundërshtuar situatën ekonomike dhe atë që ai e cilësoi si farsë elektorale. Në fjalën e tij, ai krahasoi çmimin e karburantit dhe ndikimin në ekonominë familjare mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, duke deklaruar se shqiptarët përballen me një barrë shumë më të rëndë ekonomike.
Sipas liderit demokrat, protesta synon të tregojë pakënaqësinë qytetare dhe të dërgojë një mesazh ndaj qeverisë dhe partnerëve ndërkombëtarë.
“Nëse gjermani punon një orë, ose më pak se një orë për litrin e naftës, shqiptari punon një ditë. Në buxhetin familjar, shqiptarit i kushton nafta 7 herë më shumë se gjermanit.
Thirrja ime është, nesër çdo shqiptar, të paraqitet në protestë, në mbështetje të fuqishme të këtij raporti, të paraqitet në protestë për t’i dëshmuar çdo shqiptari dhe partnerëve e miqve tanë, se farsa elektorale nuk mbyllet kurrë. Edi Rama është i plagosur politikisht për vdekje. Ka frikë e tmerr nga Parlamenti. Nuk shkel dot në sallë.
E paralajmëroj, të mos guxojnë të kundërshtojnë thirrjen për gjykatë. Atje do përfundojnë, ju e siguroj. Nesër, në orën 19:00, të gjithë në Tiranë. Është kryengritja jonë, është zëri i fuqishëm i shqiptarëve, i elitës së guximit të shqiptarëve në emër të interesave të të gjithë qytetarëve.
Do shpaloset kundërshtari. Nuk mund ta mësojë online skenarin tonë”, tha Berisha./ Zoom.al