Aplikacion
Ish-efektivi i RENEA-s, Altin Morina, ishte pjesë e një grupi të madh kriminal që merrej me trafik droge në nivel ndërkombëtar.
Ai bashkëpunonte ngushtë me një emër të njohur të botës së krimit, Ekil Ndërnjakun.
Sipas dosjes së SPAK, të dy janë të përfshirë në një rrjet që transportonte hashash dhe lëndë të tjera narkotike drejt Italisë. Droga sigurohej nga vende si Spanja, Gjermania dhe madje edhe Ekuadori.
Nga bisedat e përgjuara në SkyECC, Morina dhe Ndërnjaku diskutonin për çmimet dhe sasitë e drogës që do të dërgonin. Ata përmendnin sasi të mëdha si 150 kg hashash dhe kërkonin rrugë të sigurta transporti.
Ekil Ndërnjaku: Ka kamiona nga Spanja? Ne Transporti na duhet rregullisht…të na thotë ai sa merr për kile, në fusim minimumi 150 kile bar e çokollat.
Altin Morina: Ok, që ta dij dhe unë se ku e ka transportin për përgjithmonë.
Në SkyEcc në shtator 2020, Altin Morina del në një episod tjetër se e kishte gjetur një kontakt në Gjermani.
Altin Morina: Fola pak me një shok në Gjermani, ka bërë një dalje.
Ekil Ndërnjaku: S’e di nigjojm një herë çmimet, që të folim me robt.
Altin Morina: Më shkrujti një shok që e kam në Ekuador.
Ekil Ndërnjaku: Shok flasim nga afër.
Në disa raste, Morina përdorte lidhjet e tij me policinë për të marrë informacion për persona të caktuar. Ai madje i kërkoi të dhëna edhe ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, për një emër që nuk gjendej në sistem.
Një tjetër episod i rëndë përmendet më 24 shtator 2024. Dikush i kërkoi Ndërnjakut të ndërhynte në një raport mjekoligjor për të ndryshuar një pjesë të një arme të sekuestruar. Arma ishte e një personi të njohur të krimit, Edmond Koçi, i njohur si “Mond Çekiçi”. Ndërnjaku këtë ndërhyrje ia besoi Morinës.
Ekil Ndërnjaku: Shok, me tpyt, a kemi nj nje me rregulla atje në Tiranë. Kanë kap një shok me arm, dhe t’ia rregullojmë gjilponën.
Altin Morina: Kur e kanë kap…po po e marr vesh kush është.
Ekil Ndërnjaku: Mond Çekiçi.
Altin Morina nuk ishte hera e parë që përfshihej në veprimtari të paligjshme. Ai është arrestuar edhe më parë për kultivim kanabisi në bashkëpunim me Durim Bamin dhe në vitin 2023 u kap me 113 mijë euro në makinë, por u lirua një muaj më vonë./ Zoom.al