zoom

Kosova

PE i hap rrugën liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës me pasaporta serbe

Komisioni për Liri Qytetare dhe Punë të Brendshme i Parlamentit Evropian miratoi të martën raportin për liberalizimin e vizave për bartësit e pasaportave të Serbisë që jetojnë në territorin e Kosovës.

Raporti, i përpiluar nga deputeti slloven, Matjazh Nemec, u miratua me 34 vota për, 7 kundër dhe 12 abstenime. Votimi i sotëm është një hap drejt vendimit për heqjen e vizave për bartësit e pasaportave serbe.

Këto pasaporta i lëshon Drejtoria Koordinuese në Beograd, e cila punon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë. Liberalizimi i vizave për qytetarët që posedojnë pasaporta biometrike të Kosovës, ka hyrë në fuqi më 1 janar të këtij viti.

Propozimin për t’ua hequr vizat edhe bartësve të pasaportave serbe në Kosovë, e ka dhënë Komisioni Evropian në nëntor të vitit të kaluar, duke argumentuar se me një vendim të tillë, të gjithë qytetarët e rajonit të Ballkanit Perëndimor do të përfshiheshin në procesin e liberalizimit të vizave. /ZOOM.AL/