zoom

Lajme

PD shpall “luftë” në Kolegjin Zgjedhor: Të anulohen zgjedhjet e 11 majit!

PD shpall “luftë” në Kolegjin Zgjedhor: Të anulohen zgjedhjet e 11 majit!

Teksa socialistët presin datën 11 shtatoe për formimin e qeverisë së re, Partia Demokratike vijon të kundërshtojë rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit.

Këtë të hënë e zhvendosi “luftën” politike në Kolegjin Zgjedhor, ku dorëzoi një padi kundër vendimit të Komisionit Rregullator të datës 28 gusht, që shpalli zyrtarisht Partinë Socialiste fituese me 83 mandate.

Në kërkesën e saj, PD argumenton se zgjedhjet e 11 majit 2025 janë zhvilluar me parregullsi të mëdha dhe shkelje ligjore, të cilat sipas saj janë të dokumentuara në raportet e OSBE-ODIHR dhe të tjera organizata ndërkombëtare.

“Duke qenë se këto shkelje janë të dokumentuara dhe të konfirmuara nga raportet e organizatave monitoruese ndërkombëtare si OSBE-ODIHR, si dhe nga praktikat e mbledhura gjatë procesit, është i qartë fakti që rezultati i shpallur nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve më 11 maj 2025 është i pavlefshëm dhe nuk mund të pranohet si i tillë. Për më tepër, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, i drejtuar nga Ilirjan Celibashi, nuk mori asnjë masë për të parandaluar apo adresuar këto problematika.

Vetëm një vendim i drejtë dhe i guximshëm i Kolegjit Zgjedhor do të shërbente si garanci për mbrojtjen e parimeve demokratike, respektimin e vullnetit qytetar dhe vendosjen e një precedenti të nevojshëm për të ardhmen e proceseve zgjedhore në Shqipëri. Ndaj, për të gjitha këto arsye, dhe duke marrë në konsideratë se provat dhe argumentet e paraqitura janë të plota dhe të pakundërshtueshme, kërkojmë që: Në seancën e gjykimit përpara Kolegjit, të kërkohet përfundimisht nga Kolegji Zgjedhor pranimi i plotë i kësaj padie sipas objektit të saj, duke vendosur: Ndryshimin e Vendimit nr. 34, datë 28.08.2025 të Komisionit Rregullator pranë KOZ, duke vendosur rrëzimin e propozimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) për shpalljen e rezultatit përfundimtar të Zgjedhjeve për Kuvend të datës 11 maj 2025″, thuhet në padinë e PD./ Zoom.al

Postime të lidhura