zoom

Lajme

PD kërkon ministren e Shëndetësisë: Ku është?! Spitalet në kolaps, njerëzit po trajtohen si në stallë derrash

PD kërkon ministren e Shëndetësisë: Ku është?! Spitalet në kolaps, njerëzit po trajtohen si në stallë derrash

Debate të forta janë zhvilluar në seancën e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë, ku opozita ngriti alarmin për gjendjen e sistemit shëndetësor, duke denoncuar mungesë shërbimesh dhe rrezik për jetën e pacientëve.

Deputeti demokrat Kliti Hoti deklaroi se rreth 200 pacientë të prekur nga Hepatiti C ndodhen në rrezik, pasi nuk po marrin trajtimin e nevojshëm për shkak të mungesës së tenderave.

“Hepatiti C ka 4 stade, i pari dhe i dyti janë të rikthyeshme, stadet e 3 dhe të 4 janë të parikthyeshme, nëse nuk trajtohen pacienti vdes. A e dini sa është lista? Janë 200 pacientë, askush nuk e di. Mua më kërkojnë pacientët: ‘doktor Klidi, çfarë u bë’”, u shpreh Hoti.

Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për mungesën e analizave dhe shërbimeve, duke kërkuar përballje direkte me ministren e Shëndetësisë, Evis Sala.

“Doja të diskutoja me ministren Sala se me datë 20 nuk do ketë më analiza. Absurde! Kam kërkuar më 17 nëntor kur u bë buxheti i shëndetësisë, u kërkua dhe më 4 dhjetor e akoma nuk kemi përgjigje. Doja të diskutoja për kardiologjinë se nuk kemi tendera,” deklaroi ai.

Akuzave iu bashkua edhe deputeti Saimir Korreshi, i cili përdori tone ironike për mungesën e ministres në Kuvend dhe situatën në terren.

“Është mirë të pyetet për shëndetin, se na ka bërë merak. A e di ajo që është ministre apo s’e di? Nuk mund të braktiset Kuvendi kështu. Po qe se nuk e dini ku është, ta shpallim në njerëz të humbur, ta kërkojmë rrugëve të Tiranës,” u shpreh Korreshi.

Ai solli edhe shembuj konkretë nga spitalet, duke theksuar mungesën e shërbimeve dhe kushteve bazë:

“Për të marrë urgjencën lidhet me Tiranën, pastaj kismet lidhet me Lushnjën dhe ai i Lushnjës të merr. 3 orë e gjysmë rri qytetari, vdes se nuk ka kardiolog. A e dini që nuk ka as pambuk në Lushnjë, as dorashka? Pse t’i trajtojmë njerëzit si në stallë derrash atje? Na thoni ose njoftojeni që rroga i ka kaluar dhe hajde bëj punën.”

Postime të lidhura