zoom

Lajme

“Delina n’Fest”/ PD: 200 mijë euro po shkojnë për bizneset e ministres

“Delina n’Fest”/ PD: 200 mijë euro po shkojnë për bizneset e ministres

Partia Demokratike, përmes zëdhënëses Genta Vangjeli ka akuzuar ministren e kabinetit Rama, Delina Ibrahimaj, për përfitime nga fondet publike në dëm të taksapaguesve shqiptarë.

Në një deklaratë nga selia blu, Vangjeli publikoi dokumente që, sipas saj, dëshmojnë për afera dhe përfitime të dyshimta të bizneseve të lidhura me familjen e ministres.

Bëhet fjalë për projektin “Vjosa n’Fest”, projekt i zhvilluar në katër edicione dyditore, që sipas PD-së ka përfituar rreth 200 mijë euro nga fondet publike të Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Turizmit, duke e cilësuar me nota ironizuese si “Delina n’fest”

PD pretendon se projekti është zbatuar nga shoqata “Tirana Ekspres”, ku vetë Delina Ibrahimaj ka qenë e punësuar, ndërsa bashkëshorti i saj, gjatë kohës së zbatimit të projektit, ka përfituar të ardhura si drejtues.

Sipas deklaratës, edhe sot, në detyrën e Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Ibrahimaj vijon të mbështesë të njëjtin projekt dhe subjekt, i cili figuron ndër projektet e rishikuara.

Sipas Partisë Demokratike, kjo nuk është hera e parë që denoncohen aktivitetet e dyshimta të bizneseve të lidhura me familjen e Delina Ibrahimajt. Që prej vitit 2021, në të njëjtën periudhë me emërimin e saj si ministre, është rritur ndjeshëm edhe numri i bizneseve në pronësi të familjarëve të saj — nga 2 në 7 subjekte të deklaruara. Sipas PD-së, kjo rritje nuk është rastësi, por një model përfitimi nga pushteti.

Më herët, PD ka ngritur akuza edhe për një hotel në Qeparo, i regjistruar në emër të vjehrrit të ministres dhe i administruar nga bashkëshorti i saj.

Në këtë kontekst, u bëhet thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën e paralajmëruar për ditën e premte, më 17 prill, për të kundërshtuar korrupsionin dhe abuzimin me fondet publike./ Zoom.al

Postime të lidhura