Aplikacion
Detaje të reja kanë dalë nga hetimet për dosjen e AKSHI, ku ish-drejtoresha Mirlinda Karçanaj dyshohet se ka ngritur një mekanizëm të mirëorganizuar për fshehjen e pasurisë së përfituar nga tenderat dhe ryshfetet.
Gazetarja Klodiana Lala, në emisionin “Kjo Javë”, bëri me dije se hetimet e SPAK kanë zbuluar një rrjet kompleks që përfshin pastrim parash, ryshfete dhe përdorimin e personave të tretë për të mbuluar gjurmët.
Një nga elementët më të fortë të dosjes lidhet me qarkullimin e parave. Ish-zëvendësdrejtori i AKSHI-t, Daniel Shima, në dëshminë e tij pretendon se i ka dorëzuar Karçanajt rreth 200 mijë euro ryshfet, të fshehura në kuti vere dhe ambalazhe të tjera, para që dyshohet se janë përdorur për blerje pronash.
Sipas SPAK, Karçanaj dyshohet se zotëron disa pasuri të padeklaruara, përfshirë dy apartamente luksoze në Tiranë, një tokë arë dhe një duplex në Qerret, i cili dyshohet se është përdorur si banesë, edhe pse nuk figuron në emrin e saj.
Duke folur për çështjen, gazetarja Lala u shpreh:
“Janë dy çështje të tipologjive të ndryshme. Sa i takon funksioneve që mbante zonja Balluku, mori më shumë vëmendje. Por tipologjia e AKSHI-t është ndryshe, pasi ka rrëmbime, ka filmime, pastrim parash, pak nga të gjitha llojet.”
Ajo shtoi se sipas hetimeve, biznesmeni Ergys Agasi dyshohet se ka përdorur përgjime për qëllime presioni:
“Agasi sipas SPAK kishte instaluar kamera dhe filmonte takimet me personazhe të ndryshme, politikë apo biznese, përfshirë dhe zonjën Karçanaj. Mendoj se e bënte për të shantazhuar çdo personazh që nuk do t’i bindej të nesërmen.”
Gazetarja theksoi gjithashtu se hetimi ndaj Karçanajt ka qenë i thelluar:
“Nuk është rasti tipik që një zyrtar ka kryer shkelje dhe po i sekuestrohen pasuritë. Në këtë rast pati hetim të thelluar.”
Lala zbardhi edhe dëshminë e Daniel Shimës:
“Sipas SPAK, Daniel Shima… pretendoi se ka prova që i ka çuar një shumë prej 200 mijë eurosh, ryshfet Karçanajt, në kuti vere apo kuti të tjera. Më pas ajo i përdori për të blerë një shtëpi.”
Ajo shtoi se ekzistojnë dyshime edhe për skema të fshehjes së pronave përmes personave të tretë, përfshirë një apartament në zonën e rrugës së Kavajës dhe transaksione të dyshimta:
“Interesante është dhe blerja e apartamentit… ai person që e ka blerë nuk kishte para. I dhanë para dy kompanitë… Kontratat për këto para janë firmosur brenda ditës.”
Sipas saj, edhe shoferi i ish-drejtoreshës ka ndryshuar dëshminë pas përballjes me provat:
“Ai ka thënë si fillim që nuk e kishte idenë se ku e kishte shtëpinë Karçanaj… por më pas… tha: më falni, unë kam bërë një gabim. Por shefja ime ka jetuar aty deri në 2025-ën.”
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht skemën e dyshuar dhe për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë në këtë çështje.
Spanja i rremben titujt Lionel Messi-t, Rodri shpallet lojtari i turneut në Kupën e Botës