Aplikacion
Pas shpalljes së kandidatit për President nga Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ashpër, duke akuzuar partinë në pushtet për mungesë serioziteti në ndërtimin e një konsensusi politik.
Në reagimin zyrtar, LDK thekson se procesi i zgjedhjes së presidentit duhet të zhvillohet me përgjegjësi institucionale dhe në frymën e vërtetë të konsensusit, siç kërkohet nga Kushtetuta e Kosovës.
Sipas LDK-së, takimet e deritanishme ndërmjet partive kanë qenë konsultative dhe me synim gjetjen e një kandidati konsensual.
“Konsensusi nuk është garë politike dhe nuk mund të ndërtohet si proces ku njëra palë propozon emra, ndërsa të tjerat ftohen vetëm për t’i mbështetur ata”, vlerëson LDK.
LDK kritikon qasjen e Vetëvendosjes, duke thënë se ajo po e trajton procesin si një garë politike dhe jo si përpjekje për marrëveshje të gjerë parlamentare. Sipas tyre, kjo mënyrë veprimi nuk i shërben stabilitetit institucional të vendit.
Reagimi i LDK-së vjen pas propozimit të bërë nga kryeministri Albin Kurti për kandidaturën e Glauk Konjufcës për President. Afati kushtetues për zgjedhjen e kreut të shtetit po afrohet, ndërsa për zgjedhjen kërkohen 80 vota në dy raundet e para dhe 61 vota në raundin e tretë./ Zoom.al