Aplikacion
Paketa të shtrenjta, mbifaturime, “pengmarrje” apo shërbim telefonik që lë për të dëshiruar? Në fakt, ky nuk është më një lajm i ri për kompaninë “One Albania”.
Pavarësisht denoncimeve, ankesave dhe pakënaqësive të shumta, shërbimi i “One” nuk përmirësohet dhe në komentet në rrjetet sociale (ato që lihen pa u fshirë) ndesh gjithmonë të njëjtën skenë: dhjetëra klientë që flasin për eksperiencat e tyre negative.
“Po vetëm ju nuk përmirësoheni. Nuk keni më të voglën dëshirë për tu përmirësuar. Kanë dy muaj që nuk punojne tel fix. Jeni informuar nga klientët dhe bëni një sy qorr e veshët shurdh,”- shkruan një abonent.

“Ka 3 muaj qe nuk aktivizoj numrin (nuk mbushet). Kam bër kërkesa, ankesa të ndryshme në kohë të ndryshme në dyqane të ndryshme, e pamundur. Nuk bëjnë as transferim numri tek kompania tjetër. Përfundimi: O janë të paaftë, ose nuk duan të punojnë,”- komenton një tjetër.
“Ju kam shkruar disa herë. Kam patur me ju një kontratë qershor 2022-qershor 2023. Pavarësisht mbarimit të kontratës, ju ma keni rinovuar atë, pa miratimin tim, dhe më e habitshme është që: nga 700 që është “kontrata” me 7- GB ka 3- muaj që ja jepni me 2-GB dhe ne pagesë jam shumë i rregullt (kam bërë kërkesë për të ma hequr kontratën dhe nuk më hiqet… Nuk e kuptoj këtë lloj shërbimi,”- ankohet një tjetër klient.
“Jam i pakënaqur nga shërbimi,”- shpreh pakënaqësinë një tjetër.
Dhjetëra e dhjetëra mesazhe e denoncime publike e sërish situata e njëjtë. “One” nuk jep zgjidhje, ndërsa në komente përsëriten vazhdimisht të njëjtat probleme që janë aty prej muajsh.
“Klientët mbahen me shërbim e cilësi. Jo duke i lidhur me kontrata e zvarritur pa i dhene zgjidhje,”- komenton një qytetar.
“Kam bërë disa ankesa lidhur me faturimin e muajit mars, ku më rezultojnë dy fatura për të njëjtën periudhë. Ankesat i kam bërë tek zyrat tuaja të kujdesit ndaj klientit, online tek one, me email tek kujdesi dhe tek 142, 144. Veç faturës të gjeneruar dy herë për muajin mars, kam pa kryer garancinë e Roamingut tek Albtelekomi të po këtij numri. Jam shumë i indinjuar nga mungesa e përgjegjshmërisë së stafit. Në pritje të zgjidhjes së ankesave. Çudia më e madhe është se kërkon të marrësh një kopje të aplikimit për ankesën dhe nuk të japin!!! Kur shkon për herë të dytë dhe të tretë, të thonë se do të marrim në telefon, gjë qe nuk ka ndodhur asnjëherë!”, tregon një tjetër për rastin e tij.
“Tarifa shumë të larta, shërbim super negativ, po vazhduat kështu jeni drejt falemintimit!”- shkruan një tjetër abonent i pakënaqur.



AKEP në gjumë
Kur rrjeti është i mbushur me denoncime dhe raste konkrete se si kompania “One” keqtrajton dhe torturon abonentët, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare hesht.
Por heshtja, teksa qyetetarët ziejnë nga problemet që u shkakton përditë një kompani telefonike, është abuzim me detyrën funksionale që ka AKEP.
Në faqen zyrtare ky autoritet sqaron mënyrën se si vepron për mbrojtjen e interesave të përdoruesit.

Por a e përmbush në të vërtetë detyrën e tij AKEP në rastin e akuzave të qytetarëve për abuzime nga ana e kompanisë One?
Pak javë më parë Kompania telefonike “One” ndërpreu shërbimet e abonentëve të saj për disa ditë më radhë, duke krijuar një situatë kaotike për qytetarët, të cilët pavarësisht tarifave të paguara, mbetën pa shërbim.
Pas situatës, AKEP njoftoi se ka kryer inspektim pranë “One” dhe ka marrë masa administrative.
Masën e marrë AKEP e zbuloi pas ankesës së një qytetari, duke sqaruar se ndëshkimi për One në fakt është vetëm një paralajmërim.
“Me përfundimin e procedurës inspektuese, grupi i inspektimit i AKEP, me anë të vendimit përfundimtar të inspektimit nr.4, datë 25.5.2023, ka konstatuar në veprimtarinë e sipërmarrësit të komunikimeve elektronike “One Albania” sh. a., kundërvajtje administrative, për të cilat subjekti i inspektimit dënohet me Paralajmërim si dënim administrativ kryesor”, njofton AKEP./ Zoom.al
