Aplikacion
Marrë nga FOX NEWS
Kryeministri shqiptar fiton mandatin e katërt mes akuzave për korrupsion, ndërsa elitat europiane shohin në drejtim tjetër.
Ndërsa Europa pretendon se mbron demokracinë, në heshtje fuqizon autokratë si kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. I rizgjedhur për një mandat të katërt me një shumicë të cilësuar që mund të ndryshojë edhe kushtetutën, Rama është cilësuar nga kritikët si “Ramaduro” i Europës – një aludim për Nicolás Maduro-n e Venezuelës – për shkak të korrupsionit të pretenduar, prirjeve autokratike dhe mjeshtërisë në manipulim politik.
Ish-dijetar i George Soros-it dhe Fondacionit “Shoqëria e Hapur”, Rama është shndërruar në një kameleon politik – duke përshtatur imazhin e tij sipas interesave të elitave globale dhe liderëve rajonalë me influencë.
SOROS KUNDËR TRUMP: Socialistët godasin konservatorët në zgjedhjet shqiptare
I përulur ndaj kryeministres italiane Giorgia Meloni, i bindur ndaj presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan dhe mbështetës i presidentit francez Emmanuel Macron në këmbim të ndikimit më të madh në Ballkan, Rama e siguroi mandatin e katërt përmes zgjedhjeve që shumë i konsideruan të manipuluara – një situatë e paimagjinueshme për një shtet anëtar të NATO-s dhe pretendent për anëtarësim në BE.

Rama kaloi nga përfaqësues i Shoqërisë së Hapur në Tiranë, në drejtimin e një vendi me një nga trashëgimitë më të egra komuniste në Europë. Kritikët e përshkruajnë si narcist dhe anarshist, produkt i ndikimit të Soros-it në Europën Lindore pas rënies së komunizmit. Ai konsolidoi pushtetin në Shqipëri ndërkohë që promovonte nismën “Open Balkan” të mbështetur nga Soros.
Së fundmi, ai ka marrë një rol të ri: socialisti progresist që punoi për të minuar iniciativat e epokës Trump në Europë.
I njohur për retorikën e tij anti-Trump – përfshirë deklaratën famëkeqe në CNN dhe Foreign Policy, ku e quajti Trump-in “turpi i qytetërimit tonë” – Rama është kthyer në të preferuarin e elitave europiane dhe demokratëve amerikanë. Mbijetesa e tij politike është ndërtuar mbi rreshtimin e plotë me rendin anti-Trump, edhe pse udhëheqja e tij brenda vendit shkon gjithnjë e më shumë drejt autoritarizmit.

Sot, ndërsa Europa përballet me një botë multipolare dhe sfida të ndërlikuara gjeopolitike, ajo po toleron – në mos përqafon – liderë si Rama. Pse? Sepse ai deklaron besnikëri ndaj “vlerave europiane”, pavarësisht se – sipas kritikëve – qeveris një narco-shtet të ndërtuar mbi krimin e organizuar dhe manipulimin elektoral.
Rama përfaqëson një version europian të modelit Chávez-Maduro: një autokrat i majtë i veshur me gjuhën progresiste, që ushtron pushtetin pa ndonjë shqetësim për normat demokratike. Ai mishëron atë që analistët e quajnë “stabilokraci” – regjime të toleruara në emër të “stabilitetit rajonal”, edhe pse gërryejnë themelet e vetë vlerave që Europa pretendon të mbrojë.
Përballë kësaj, qëndrimi i SHBA-së duhet të jetë një sinjal alarmi për Europën, e cila është bërë komode duke bashkëjetuar me regjime me stil mafioz, të mbështetura në korrupsion dhe represion.
Rubio në Venezuelë, por Rama në Ballkan?
Përpjekja e fundit e Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, për të bllokuar kontratën e Chevron në Venezuelën e Maduro-s ishte një shembull i udhëheqjes me parim – duke refuzuar t’i japë legjitimitet dhe burime një regjimi autoritar.
Amerika duhet të tregojë të njëjtën qartësi edhe në Ballkan.
Sot, madje edhe shumë shqiptarë e quajnë Ramën “Ramaduro” – një thirrje e dëshpëruar për ndihmë drejtuar Shteteve të Bashkuara për të rikthyer demokracinë.
Qëndrimi i Uashingtonit duhet të jetë i qartë: presioni i shtuar ndaj qeverisjes në Tiranë, mbështetje për zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe një mesazh i prerë: përputhshmëria me vlerat perëndimore matet me vepra, jo me fjalë të zbrazëta./ Përkthyer në shqip nga Zoom.al. Marrë nga FoxNews me titullin në origjinal: Meet Ramaduro: Europe’s progressive, Soros-trained autocrat and enemy of Trumpism.
*Shënim: Agim Nesho është një autor, diplomat dhe figurë politike e njohur shqiptare. Aktualisht ai ushtron postin e Presidentit të Këshillit Shqiptar për Marrëdhënie me Jashtë.
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit