Aplikacion
Në bulevardin përpara Kryeministrisë po zhvillohet protesta e thirrur nga Partia Demokratike, ndonëse autoritetet policore kanë bërë të ditur se tubimi nuk është miratuar zyrtarisht për shkak të episodeve të dhunës të regjistruara në protestat e mëparshme.
Sipas Policisë së Shtetit, pavarësisht mosmiratimit, efektivët do të jenë të pranishëm në terren në zbatim të ligjit “Për tubimet”, me qëllim garantimin e rendit publik, sigurisë së institucioneve dhe qytetarëve.
Për këtë arsye, godina e Kryeministrisë është rrethuar me gardhe dhe struktura metalike, ndërsa forcat e rendit janë vendosur në perimetër.
Pas një ndalese për disa minuta në selinë e PD, Sali Berisha është nisur drejt Kryeministrisë.
Ndërkohë, militantë dhe simpatizantë kanë nisur të grumbullohen gradualisht në shesh në pritje të nisjes së protestës.
Burime policore bëjnë me dije se masat e sigurisë janë shtuar pas incidenteve të mëparshme, ku janë shënuar përplasje dhe përdorim i mjeteve të rrezikshme ndaj efektivëve. Autoritetet u kanë bërë thirrje protestuesve të shmangin aktet e dhunës dhe të respektojnë ligjin./ Zoom.al