Aplikacion
33-vjeçarja Blerina Basha, e cila dyshohet se ka lënë pa kujdes tre fëmijët e saj të mitur në një banesë në qytetin e Durrësit, ka dhënë dëshminë e saj në polici, ku ka mohuar kategorikisht akuzat për braktisje.
Në deklarimet e saj, ajo ka sqaruar se është detyruar të punojë me dy turne për të siguruar jetesën e fëmijëve, pasi nuk ka pasur asnjë mbështetje financiare apo familjare. Sipas saj, prindërit jetojnë jashtë vendit, ndërsa në Shqipëri nuk ka të afërm që mund ta ndihmonin në kujdesin ndaj të miturve.
Ajo ka treguar se në vitin 2025 ishte ribashkuar përkohësisht me ish-bashkëshortin, me synimin për të emigruar në Itali, por kjo bashkëjetesë kishte zgjatur pak. Pas ndarjes, fëmijët mbetën nën kujdesin e saj, ndërsa ndihma financiare nga babai i tyre ka qenë minimale.
Sipas 33-vjeçares, situata u përkeqësua kur fëmijët shfaqën probleme shëndetësore dhe mungesa të shpeshta në shkollë, për shkak të pamundësisë së saj për t’i shoqëruar çdo ditë. Ajo pohon se ka njoftuar institucionet arsimore dhe bashkinë për gjendjen e saj, duke kërkuar ndihmë nga shërbimet sociale, por pa marrë përgjigje konkrete.
Pas njoftimit, policia gjeti tre fëmijët në kushte ç’njerëzore, pa ushqim për 3 ditë. Ata u dërguan në spital, ku janë nën kujdesin e mjekëve sepse janë të infektuar me zgjebe.
“Kam punuar me dy turne për të mbajtur fëmijët, sepse nuk kam pasur asnjë mbështetje familjare. Prindërit e mi jetojnë në Francë dhe nuk kam asnjë të afërm këtu që të më ndihmojë për kujdesin ndaj tyre. Në vitin 2025, ish-bashkëshorti më propozoi të bashkoheshim për të ikur në Itali. U bashkuam dhe ai u përgatiti dokumentet fëmijëve. Në shtator më tha se nuk do të qëndronte më në Itali dhe m’i la fëmijët mua.
Në nëntor vjet, shkolla më njoftoi se dy djemtë nuk po shkonin në shkollë, pasi nuk kisha mundësi t’i çoja çdo ditë. Në atë periudhë, fëmijët rezultuan edhe me zgjebe. U komunikova situatën dhe kërkova ndihmë nga bashkia, duke kërkuar ndërhyrjen e shërbimeve sociale që të merrnin masa për rastin tim. Bashkia nuk ka vepruar. Më thirrën në shkollë për mungesat e fëmijëve dhe u shpjegova se nuk kam mundësi të qëndroj e mbyllur në shtëpi me ta, pa punuar. U thashë se, nëse do të më ndihmonin konkretisht me shërbime sociale, do të qëndroja me fëmijët, por në kushtet kur nuk kishte ndihmë reale, isha e detyruar të punoja. Nuk qëndrova tek ish-bashkëshorti, sepse nuk mund të jetoj me një person nga i cili jam e ndarë. Ai më ka dhënë vetëm 180 mijë lekë të vjetra si ndihmë për tre fëmijët, një shumë që nuk më mjaftonte, ndaj nuk kisha zgjidhje tjetër veçse të shkoja në punë”, tha ajo./ Zoom.al