Aplikacion
“Gazzetta dello Sport” i ka kushtuar një artikull futbollistit shqiptar Edon Zhegrova, duke përshkruar rrugëtimin e tij në kampionatin italian.
“Ishte viti 2012 kur një i ri nga Prishtina, Edon Zhegrova, shfaqej krenar me fanellën e Milanit, duke mbajtur në duar një trofe të vogël fëmijërie që do ta shoqëronte gjatë rrugëtimit të tij në futboll”, shkruan “Gazzetta dello Sport”.
Në Milan Camp të zhvilluar në Kosovë nisi lidhja e tij me futbollin italian, vijon artikulli. Kjo lidhje me kalimin e viteve, do ta çonte drejt Serie A dhe skuadrës së Juventusit.
“Sot, kujtimet e fëmijërisë kuqezi mbeten të gjalla, ndërsa Zhegrova përpiqet të bëjë hapin e madh në Torino. Ndeshja e radhës kundër Milanit në Allianz Stadium do të jetë një rast për të treguar vlerën e tij dhe për t’u rikthyer në formën e plotë pas dëmtimit”, vazhdon më tej artikulli.
Prestigjiozja italiane është ndalur edhe te një moment shënjues për karrierën e Zhegrovës.
““U regjistrova në Milan Camp në momentin e fundit, por përfundova i pari”, ka rrëfyer Zhegrova për eksperiencën e tij të hershme. Vizita në San Siro, ku pati mundësinë të takohej me yjet Kakà dhe Pato, mbeti një kujtim i paharrueshëm. “Më kujtohet nëna ime me lot gëzimi në sy,” ka treguar ai”, thuhet në artikull./ Zoom.al