Aplikacion
Neymar mban ende në tension kombëtaren e Brazilit.
Gjendja fizike e 34-vjeçarit mbetet ende për tu riparë, gjithsesi, Federata Braziliane e Futbollit ka bërë të ditur se sulmuesi po reagon pozitivisht ndaj trajtimit të dëmtimit.
Ekzaminimet e fundit mjekësore kanë konfirmuar një progres të kënaqshëm në rikuperimin e lojtarit të Santos nga një këputje muskulore e gradës së dytë në pulpën e këmbës së djathtë.
Skaneri tregoi se procesi i rikuperimit po ecën sipas planit të hartuar nga stafi mjekësor.
Federata sqaroi se Neymar do të vazhdojë programin e rehabilitimit dhe përgatitjes fizike në ditët në vijim, me synimin për të rikuperuar plotësisht formën e tij para rikthimit në ndeshje.
Ndërkohë, trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka pranuar se shpreson ta ketë Neymarin të paktën në seancat stërvitore gjatë kësaj jave.
Megjithatë, ai nuk ka dhënë garanci për aktivizimin e yllit brazilian në ndeshjen hapëse të turneut.
Aktualisht, pjesëmarrja e Neymarit në përballjen ndaj Marokut duket e vështirë, pasi stafi teknik dhe mjekësor nuk dëshiron të marrë rreziqe me një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.
Vendimi përfundimtar pritet të merret pas vlerësimeve të fundit fizike në ditët para ndeshjes.
Rikthimi i Neymarit mbetet një nga temat më të ndjekura në kampin brazilian, me tifozët që shpresojnë ta shohin numrin 10 në fushë sa më shpejt gjatë rrugëtimit të Seleçaos në Kupën e Botës.