zoom

Lajme

Maran flet para ndeshjes me Luksemburgun: Duhet të rregullojmë disa detaje

Maran flet para ndeshjes me Luksemburgun: Duhet të rregullojmë disa detaje

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, ka folur para mediave në prag të ndeshjes miqësore ndaj Luksemburgut, duke theksuar se skuadra është ende në fazën e ndërtimit dhe përshtatjes me filozofinë e re të stafit teknik.

Në konferencën për shtyp para sfidës që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, tekniku italian u shpreh se kuqezinjtë kanë nevojë për kohë për të përvetësuar idetë taktike dhe mënyrën e lojës që ai kërkon të aplikojë.

Maran pranoi se gjatë ndeshjeve të para janë evidentuar si elementë pozitivë, ashtu edhe probleme që duhet të korrigjohen, por nënvizoi se kjo është normale në fillimin e një cikli të ri.

“Kam vetëm pak javë në drejtimin e ekipit dhe është e rëndësishme të krijojmë lidhje më të forta me lojtarët. Kur punon çdo ditë me grupin, kupton më mirë karakteristikat e secilit futbollist dhe mënyrën si mund të ndërtohet skuadra”, deklaroi trajneri.

Ai u ndal edhe te mungesa e golit në takimin e fundit, duke theksuar se Kombëtarja arriti të krijojë raste të mira, por nuk tregoi qetësinë dhe saktësinë e duhur në finalizim.

Sipas Maran, prioritet mbetet organizimi i ekipit si në mbrojtje, ashtu edhe në fazën sulmuese, ndërsa një vëmendje e veçantë po i kushtohet mënyrës së ushtrimit të presionit ndaj kundërshtarit.

“Duhet të rregullojmë disa detaje dhe të funksionojmë më mirë si grup. Në pak ditë kemi bërë hapa pozitivë dhe besoj se përmirësimi do të shihet gradualisht”, u shpreh ai.

Tekniku italian paralajmëroi gjithashtu se Luksemburgu nuk është një kundërshtar që duhet marrë lehtë, duke theksuar se futbolli modern ka reduktuar diferencat mes ekipeve.

“Ndeshja ka rëndësi jo vetëm për rezultatin, por edhe për të kuptuar ku jemi dhe çfarë duhet të përmirësojmë për sfidat zyrtare të shtatorit. Duhet të futemi në fushë me mentalitetin e duhur dhe përqendrim maksimal”, tha Maran./ Zoom.al

Postime të lidhura