Aplikacion
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Maran, ka vendosur të ndërhyjë në formacionin titullar për ndeshjen miqësore ndaj Luksemburgut, duke bërë tre ndryshime krahasuar me sfidën e fundit ndaj Izraelit.
Tekniku kuqezi ka zgjedhur të rifreskojë kryesisht repartin ofensiv, duke aktivizuar nga minuta e parë Mirlind Dakun dhe Myrto Uzunin në sulm, ndërsa në mesfushë besimin e fiton Luis Hasa. Për talentin e ri kjo është një mundësi e rëndësishme për të treguar vlerat e tij me fanellën kuqezi.
Nga ana tjetër, në stol e nisin Ylber Ramadani, Armando Broja dhe Endri Mehmeti, të cilët kanë qenë pjesë e formacionit titullar në takimin e kaluar.
Pavarësisht ndryshimeve, pjesa më e madhe e skuadrës mbetet e pandryshuar. Në portë konfirmohet Sherri, ndërsa në mbrojtje vijon i njëjti kuartet me Hysajn, Ajetin, Gjimshitin dhe Mitajn. Edhe mesfusha ruan boshtin kryesor me Asllanin, Laçin dhe Hoxhën.
Reparti i mbrojtjes është i vetmi që nuk preket nga rotacioni.
Përballja ndaj Luksemburgut do t’i shërbejë stafit teknik për të testuar lojtarë dhe skema të ndryshme, në kuadër të përgatitjeve për sfidat zyrtare që e presin Kombëtaren në muajt e ardhshëm.
Ndeshja do të luhet sot në orën 20:00 në stadiumin “Air Albania”, vetëm dy ditë pas miqësores me Izraelin, sfidë që u humb nga Shqipëria./ Zoom.al