Aplikacion
Një shtetas shqiptar që është dëbuar nga Britania e Madhe, ka kundërshtuar me forcë vendimin.
Ka qenë plani i qeverisë së Britanisë së Madhe për të dërguar azilkërkuesit në Ruanda, i cili është anuluar në minutën e fundit pas një vendimi të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut që e ka dënuar këtë nismë, që ka sjellë këtë situatë të tensionuar.
Deri në shtatë persona që kishin mbërritur në Britani për të kërkuar strehim pritej të largoheshin në vendin e Afrikës Lindore një orë e gjysmë përpara se fluturimi të nisej.
Mes azilkërkuesve që do shkonin në Raunda ishte edhe një shqiptar dhe viktimë e dyshuar e trafikimit që për “The Guardian” ka thënë se ishte në një “gjendje shumë të keqe mendore”, teksa po priste të hipte në fluturimin e deportimit për në Ruanda, një vend për të cilin ai tha se nuk di “asgjë”.
Sipas kësaj medie, ai është 26 vjeç dhe ishte një prej shtatë azilkërkuesve që nisën sfidat ligjore të minutës së fundit për të shmangur fluturimin me forcë në vendin e Afrikës Lindore.
Ndërkohë pjesa tjetër përfshijnë tre iranianë, një azilkërkues irakian dhe një vietnamez. Këta persona mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla në mes të majit.
“Në Shqipëri jam shfrytëzuar nga trafikantët për gjashtë muaj. Më trafikuan në Francë. Nuk e dija se në cilin vend po më çonin”, tha shqiptari, i cili shtoi se kur e hipën në një varkë të vogël në Francën veriore, iu dha të kuptonte se trafikantë të tjerë do ta prisnin kur të mbërrinte në Mbretërinë e Bashkuar.
“Jam në gjendje shumë të keqe mendore. Nuk dija asgjë për Ruandën. Nuk kam qenë kurrë në Afrikë dhe nuk mendoj se do të jetë e sigurt për mua. Nuk mund të kthehem në Shqipëri se do të më vrasin trafikantët atje. I vetmi vend i sigurt për mua është Britania e Madhe. Si mund të dërgojnë një shqiptar në Afrikë?”, ka thënë i riu.
Ky i fundit është shprehur se kishte menduar të vriste veten në vend që të hipte në avion./zoom.al/