Aplikacion
Maria Sol Messi, motra e futbollistit të njohur argjentinas Lionel Messi, ka pësuar një aksident automobilistik në Miami, duke detyruar shtyrjen e ceremonisë së saj martesore.
Sipas raportimeve nga mediat në Argjentinë, 32-vjeçarja ka shfaqur probleme shëndetësore gjatë kohës që ishte duke drejtuar automjetin e saj tip SUV, çka ka bërë që të humbasë kontrollin dhe të përplaset me një mur anësor. Si pasojë e aksidentit, ajo ka marrë disa dëmtime fizike, mes tyre edhe lëndime në dy vertebra.
Burimet bëjnë me dije se, pavarësisht dëmtimeve, jeta e saj nuk është në rrezik. Megjithatë, gjendja shëndetësore kërkon trajtim të specializuar dhe një periudhë të gjatë rehabilitimi. Për këtë arsye, Maria Sol ka udhëtuar drejt Argjentinës, ku do të vijojë mjekimin dhe rikuperimin pranë familjes.
Ndërkohë, dasma e saj, e planifikuar për t’u mbajtur më 3 janar, është shtyrë për një datë të pacaktuar, deri në përmirësimin e plotë të gjendjes shëndetësore./ Zoom.al