Aplikacion
Media italiane Il Fatto Quotidiano i ka kushtuar një artikull debatit në Shqipëri për financimin me 4 milionë euro nga fondi rezervë i shtetit të koncertit të Kanye West në Tiranë.
Sipas saj, vendimi i qeverisë ka shkaktuar reagime të forta publike, veçanërisht në një kohë kur vendi përballet me protesta kundër kryeministrit Edi Rama.
Artikulli thekson se Rama ka pranuar se ndërhyrja financiare u bë në minutën e fundit për të shmangur anulimin e koncertit, duke argumentuar se qëllimi ishte ruajtja e imazhit të Shqipërisë.
Megjithatë, media italiane ngre pikëpyetje mbi interesin e ulët të publikut dhe numrin e madh të biletave të pashitura, duke e lidhur këtë edhe me çmimet e larta që arrijnë deri në mbi 300 euro.
“Ne u detyruam të financonim 4 milionë euro në minutën e fundit për koncertin e Kanye West, përndryshe do të ishte anuluar”, citon Il Fatto Quotidiano deklaratën e kryeministrit shqiptar, i cili ka argumentuar se vendimi ishte marrë për të “shpëtuar imazhin e Shqipërisë” pas shitjeve të dobëta të biletave.
Biletat e shtrenjta dhe fondet publike në qendër të debatit
Artikulli nënvizon se koncerti i Kanye West, i planifikuar për 11 korrik në Tiranë, nuk ka arritur interesin e pritur nga publiku, ndërsa vetëm pak ditë para zhvillimit të tij mijëra bileta rezultonin ende të pashitura.
Një nga arsyet, sipas medias italiane, lidhet me çmimin e lartë të biletave, që varion nga 292 deri në 339 euro, në një vend ku paga mesatare mujore llogaritet rreth 400 euro.
Por ajo që ka shkaktuar reagimin më të madh, shkruan Il Fatto Quotidiano, është fakti se qeveria vendosi të përdorë fonde publike për të mbështetur eventin, pasi më herët kishte deklaruar se koncerti do të financohej tërësisht nga organizatorët privatë.
Në artikull kujtohet se, në muajin prill, Rama kishte garantuar se shteti do të ofronte vetëm mbështetje logjistike, siguri dhe mikpritje, ndërsa më 6 korrik qeveria miratoi një akt normativ që akordoi 400 milionë lekë, ose rreth 4 milionë euro, nga fondi rezervë i shtetit për financimin e koncertit.
“Pensionistët jetojnë me 110 euro në muaj”
Media italiane pasqyron edhe reagimet e qytetarëve shqiptarë në rrjetet sociale, ku shumë prej tyre kanë kritikuar përdorimin e parave publike për një koncert, ndërsa vendi përballet me probleme sociale dhe ekonomike.
“Pensionistët jetojnë me 110 euro në muaj, spitaleve u mungojnë pajisjet dhe mjekët, por qeveria gjeti para në minutën e fundit për një koncert. Po bëjmë shaka?”, citohet në artikull reagimi i një qytetareje shqiptare.
Po ashtu, gazetarja Alice Ophelia shprehet se, nëse qeveria synon të përmirësojë imazhin e Shqipërisë, fondet duhet të orientohen drejt problemeve reale të vendit.
Sipas saj, Shqipëria përballet me mungesë të menaxhimit të mbetjeve, infrastrukturë problematike dhe çështje të tjera që kërkojnë investime më urgjente sesa organizimi i një koncerti.
Kritika edhe për stadiumin dhe zgjedhjen e artistit
Në analizën e saj, Il Fatto Quotidiano ndalet edhe te ndërtimi i stadiumit të përkohshëm “Eagle Stadium”, i ngritur mes Tiranës dhe Durrësit vetëm për koncertin e Kanye West, me një kapacitet prej rreth 60 mijë spektatorësh dhe që pritet të çmontohet menjëherë pas eventit.
Media italiane rikujton gjithashtu se Kanye West ka qenë në qendër të polemikave ndërkombëtare për deklaratat e tij antisemite dhe qëndrimet ekstremiste, duke sjellë si shembull edhe anulimin ose kundërshtimin e eventeve të lidhura me artistin në vende të ndryshme, përfshirë Italinë.
Megjithatë, sipas artikullit, kryeministri Rama vijon të mbrojë organizimin e koncertit, duke argumentuar se ai do të ketë ndikim pozitiv në turizëm, ekonomi dhe imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë, me një përfitim të pritshëm prej rreth 100 milionë eurosh.
Sipas Il Fatto Quotidiano, e gjithë kjo po ndodh në një periudhë tensionesh politike dhe protestash kundër qeverisë, ndërsa debati për përdorimin e fondeve publike vijon të dominojë diskutimin në Shqipëri.