zoom

Aktualitet

“Qeveria 232.3 mln euro për projekte qejfi, ndërsa pacientët s’kanë ilaçe”. Gazetari publikon shifrat

“Qeveria 232.3 mln euro për projekte qejfi, ndërsa pacientët s’kanë ilaçe”. Gazetari publikon shifrat

Gazetari Osman Stafa ka publikuar një llogaritje, sipas së cilës 232.3 milionë euro të shpenzuara nga qeveria për projekte si “Kopshti Eden”, koncerti i Kanye West, satelitët dhe inceneratorët do të kishin mundur të përdoreshin për përmirësimin e shërbimit shëndetësor.

Sipas Stafës, me këtë shumë mund të ishin financuar investime të rëndësishme në spitale, në një kohë kur, sipas tij, pacientët me kancer përballen me mungesë ilaçesh dhe pajisjesh, ndërsa shërbime si trombektomia në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” nuk funksionojnë.

Postimi i Stafës:

Është fakt që kryeministri Edi Rama ka ndërtuar “Kopshtin Eden” te Kryeministria me një kosto prej 4.3 milionë eurosh.

Nuk ka asnjë vlerë publike. Janë paratë e shqiptarëve që kanë shkuar për një kopsht, i cili shërben vetëm për qejfin e kryeministrit.

Është fakt që ditën e djeshme qeveria shqiptare, me vendim të Këshillit të Ministrave, dhe vetë kryeministri deklaruan se 4 milionë euro do të shkojnë për koncertin e Kanye West.

Po ashtu, është fakt që satelitët e dërguar në hapësirë nga qeveria shqiptare kanë kushtuar 6 milionë euro.

Është fakt gjithashtu se mbjellja e palmave dhe pishave në autostradën Tiranë-Durrës, të cilat u hoqën me zgjerimin e rrugës, kushtoi 8 milionë euro.

Po ashtu, inceneratorët, që duhej të ndërtoheshin dhe nuk ekzistojnë, janë përfolur për një kosto deri në 500 milionë euro, mes ndërtimit dhe kontratave. Por le ta marrim vetëm 100 milionë euro.

“Tigri 1” dhe “Tigri 3” në Vlorë, anijet që supozohej të prodhonin energji, por nuk kanë prodhuar, kushtuan 60 milionë euro.

Tuneli i Llogarasë, sipas pretendimeve, ka një dëm prej 50 milionë eurosh.

Nuk po llogaris kostot e rrugëve apo shpenzime të tjera të kësaj qeverie.

Vetëm këto shtatë investime arrijnë në 232.3 milionë euro, para të buxhetit të shtetit shqiptar.

Këto para kanë shkuar për spektakël, për projekte që nuk kanë dhënë rezultat. Satelitët nuk na shërbyen për asgjë, palmat dhe pishat nuk ekzistojnë më, inceneratorët nuk ekzistojnë, “Tigri 1” dhe “Tigri 3” nuk prodhojnë energji, ndërsa Tuneli i Llogarasë është objekt hetimi nga SPAK.

Po çfarë mund të bëhej me 232.3 milionë euro?

Kjo është një përllogaritje e bërë me ekspertë të fushës.

Shqipëria sot nuk ka PET Scan të mjaftueshëm. Pacientët me kancer detyrohen të shkojnë në Turqi, Itali apo Maqedoninë e Veriut. Me këto para mund të ishin blerë pesë PET Scan, me një kosto prej 25 milionë eurosh.

Brakiterapia është jashtë funksionit. Me 15 milionë euro mund të ishin blerë pesë aparatura, duke u dhënë grave me kancer gjinekologjik mundësinë të trajtohen në Shqipëri.

Sot trombektomia nuk ofrohet në QSUT. Me 20 milionë euro mund të ishin hapur pesë qendra, që do të shpëtonin jetë dhe do të shmangnin paralizat pas goditjeve në tru.

Në mungesë të trombektomisë, shumë pacientë ose paralizohen, ose humbin jetën.

Për skanerët ka radhë pesë apo gjashtë muaj. Me 20 milionë euro mund të ishin blerë 20 skanerë.

Edhe rezonanca magnetike ka pritje të gjata. Me 30 milionë euro mund të ishin blerë 15 rezonanca magnetike.

Me këto para mund të ishin shtuar 1,000 shtretër spitalorë, ndërkohë që sot pacientët presin në urgjencë ose kthehen në shtëpi për mungesë vendesh.

Për barnat në Onkologjik mund të ishin dedikuar 80 milionë euro, ndërsa me 22.3 milionë euro mund të ishte ndërtuar një spital i ri onkologjik, pasi ai ekzistues nuk përballon numrin në rritje të pacientëve.

Mund të ishin investuar edhe 10 milionë euro për materiale bazë, si vigona, alkool, shiringa dhe pajisje të tjera që mungojnë në spitale.

Pra, para ka pasur.

Sipas kësaj llogaritjeje, ato kanë shkuar për “Kopshtin Eden”, për koncertin e Kanye West dhe për projekte të tjera, në vend që të investoheshin në shëndetësi, aty ku nevoja është jetike.

Postime të lidhura