Aplikacion
Një situatë alarmante është raportuar mbrëmjen e së premtes në Urgjencën e Pediatrisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), ku, sipas denoncimeve të familjarëve, pavijoni ka mbetur për rreth një orë e gjysmë pa energji elektrike.
Prindërit e fëmijëve të shtruar në spital thonë se ndërprerja e energjisë ka krijuar panik, ankth dhe pasiguri, ndërsa askush nuk u ka dhënë një shpjegim zyrtar për arsyet e situatës apo kohën kur do të rikthehej furnizimi me energji.
“Kemi më shumë se një orë pa drita. Fëmijët janë të vegjël, kërkojnë qumësht dhe nuk kemi ku ta ngrohim. Askush nuk vjen të na sqarojë çfarë ka ndodhur”, shprehet një nënë, e cila ndodhej me fëmijën e saj në spital.
Sipas denoncimeve, energjia elektrike ndizte dhe fikte vetëm në ambientet e urgjencës, ndërsa repartet ku qëndrojnë fëmijët e shtruar kanë mbetur plotësisht në errësirë.
Familjarët pretendojnë se stafi u ka komunikuar se problemi lidhej me gjeneratorin, i cili nuk kishte kapacitet ose lëndë djegëse të mjaftueshme për të furnizuar të gjithë godinën. Për shkak të mungesës së energjisë, mjekët nuk kanë mundur të kryejnë disa ekzaminime, përfshirë ekografinë, ndërsa prindërit janë detyruar të përdorin blicat e telefonave celularë për të ndriçuar dhomat.
Pamjet e siguruara nga qytetarët tregojnë korridore dhe ambiente të Pediatrisë në errësirë, duke ngritur pikëpyetje mbi funksionimin e sistemeve rezervë të energjisë në një institucion që ofron shërbime jetike.
Ngjarja ka ngritur shqetësime serioze mbi sigurinë e pacientëve të vegjël dhe funksionimin e infrastrukturës së QSUT-së. Familjarët pyesin se si është e mundur që një spital universitar të mbetet pa energji elektrike për një kohë kaq të gjatë, nëse ka ekzistuar një linjë rezervë dhe pse nuk ka hyrë menjëherë në funksion gjeneratori.
Thellohet skandali i dhunës në Fier, një nga policët në lidhje me një nga vajzat e mitura