zoom

Të gjitha

“McGonigal”, si u nxor nga konteksti deklarata e kryeprokurorit të përgjithshëm të SHBA?

“McGonigal”, si u nxor nga konteksti deklarata e kryeprokurorit të përgjithshëm të SHBA?

NGA OLIVERDA ALLMUCA

Çështja e ish-agjentit të FBI-së Charles McGonigal u kthye në një pikë të nxehtë diskutimi në politikën shqiptare në janar 2023, duke sjellë akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, i cili në dosjen e ish-agjentit, sipas CNN, përmendej plot 14 herë.

Megjithatë, në një kohë kur në Shqipëri emri McGonigal shkaktoi një kaos të vërtetë akuzash dhe kundër-akuzash, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishte drejtësia ajo që bënte punën.

Më datë 1 mars, Kryeprokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Merrick Garland u vu përballë Senatit, në një seancë dëgjimore ku bëri një përmbledhje të situatës kriminale në SHBA në muajt e fundit.

Në një artikull të Business Insider më 28 shkurt, shkruhej se Capitol Hill i kishte kërkuar Garlandit përgjigje në lidhje me rastin e ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal, i cili akuzohet për afera korruptive me një oligark rus dhe gjithashtu që ka marrë pagesa nga një agjent shqiptar, në këmbim të ndikimit të McGonigal në vendimet e kryeministrit Rama për licencat e kompanive ruse të naftës në vend.

Në seancën që zgjati plot 4 orë, Garland u përgjigj rreth situatës së shkaktuar me djalin e Biden, Hunter i cili akuzohet për korrupsion, dhe ndër dhjetëra pyetje, iu përgjigj edhe asaj të Senatorit Chuck Grassley.

Ndryshe nga pyetjet e tjera, Grassley preferoi të mos përmendte emra, por ndoqi linjën e pyetjeve paraardhëse që ishin posaçërisht për Biden, por që nuk morën përgjigje të saktë.

“Nëse Departamenti i Drejtësisë merr informacion se persona të huaj kanë pasur evidencë për pagesa financiare jo të duhura apo të paligjshme paguar zyrtarëve të zgjedhur apo personave të tjerë të ekspozuar politikisht, dhe këto pagesa mund të ndikojnë në vendimet politike, a do të përbënte kjo një shqetësim për sigurinë kombëtare dhe a do të kërkonte një hetim të plotë?”, ishte pyetja e senatorit.

Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së në përgjigjen e tij, pohoi se nëse dikush nga jashtë paguan një nëpunës, atëherë rrezikohet siguria kombëtare e Amerikës duke iu referuar kështu pagesave që djali i Biden akuzohet se ka marrë.

“Nëse i përgjigjem saktësisht pyetjes, nëse është agjent i një qeverie të huaj që i kërkon dikujt, që paguan dikë për të bërë gjëra në përkrahje të asaj qeverie të huaj, pa dyshim që mendoj se ky do të ishte problem për sigurinë kombëtare,” tha ai.

Megjithatë, mediet shqiptare e nxorën deklaratën e Garland menjëherë nga konteksti.

Kjo falë dy lehtësirave të vetë deklaratës:

1-Fakti që nuk përmendeshin emra konkretë

2-Duke qenë se situatat ishin shumë të ngjashme

Në uebsite-t shqiptare lajmi qarkulloi masivisht, duke vendosur argumentin e Garland, në raport me çështjen McGonigal, si pasojë e nevojës që debati i hapur në Shqipëri për ish-agjentin, kishte për vëmendje.

Duke plotësuar kushtet e një materiali që publikohet masivisht, shpejt dhe me të njëjtin tekst, ishin të shumta mediet shqiptare që e postuan. (67 postime)

Një pjesë e mirë e tyre, pavarësisht se përballë Senatit, nuk u përmend në asnjë çast emri i McGonigal, edhe as u nënkuptua, shkruanin se dosja për ish-agjentin, u kthye në temë diskutimi përballë senatorëve.

Me tituj me natyrë sensacionale dhe përmendjen e kryeprokurorit, lajmet qarkulluan masivisht në rrjet dhe nuk u përgënjeshtruan.

Por pse ky lajm i nxjerrë nga konteksti, u kthye në një burim të rrezikshëm informacioni?

  • I pari detaj është që bëhet fjalë për një figurë qendrore në drejtësinë amerikane, që vjen si bosht i padiskutueshëm për Shqipërinë. Vendi mik, po kthente sytë nga korrupsioni që zyrtarët shqiptarë zgjedhin të manipulojnë edhe njerëz me pushtet serioz si McGonigal. Por kjo ende nuk është bërë publike, as pranuar.
  • E dyta, koha e përzgjedhur për publikimin e këtij lajmi, ishte pikërisht kur opozita e kishte shtuar presionin ndaj kryeministrit Rama për këtë çështje, duke kërkuar dorëheqjen nga ky i fundit, duke krijuar kështu një zhbalancë politike nëpërmjet informacionit të pasaktë.
  • E treta, në mënyrën si lajmi trajtohej, dilte thelbi se korrupsioni i marrë përsipër nga zyrtarët shqiptarë, ka rrezikuar sigurinë kombëtare të SHBA-së, një retorikë e fuqishme në frymën me ndërkombëtarët.

Si u trajtua nga mediet e huaja dëgjesa në Senat e Kryeprokurorit?

Asnjë media e huaj, pas një vëzhgimi nëpërmjet fjalëve kyçe, nuk raportoi për diskutim të çështjes McGonigal në Senat.

Sinkronin e zbardhur nga mediet shqiptare, CNN dhe BBC e vazhduan në linjë me pyetjet për zotin Biden dhe njësoj bëri edhe media që kishte paralajmëruar për cekje të çështjes së ish-agjentit, Business Insider.

Seanca e kryeprokurorit të përgjithshëm të SHBA-ve, në të njëjtën linjë u komentua edhe nga kreu i Partisë Demokratike në seancë plenare.

Berisha u kujdes që t’i zgjidhte fjalët, por nuk ngurroi që të bënte një paralelizëm të situatës.

Nëse korruptimi një nëpunësi, nga një person i huaj përbën kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-ve, imagjino çdo të thotë të korruptosh një ish-zyrtar të FBI-së, shtroi pyetjen Berisha.

Në këtë rast, mediet në rreshta transmetuan te lexuesit e tyre atë që donin vetë të përcillnin duke u servirur informacion të pavërtetë, aludime dhe duke orientuar drejt një realiteti që mund të ishte ndryshe.

Nëse shohim në brendësi të tekstit, janë disa raste të interpretimit të fakteve dhe raportimit të tyre si diçka e vërtetë.

Së pari:

Çështja “McGonigal” e ish-zyrtarit të FBI-së që akuzohet se ka shpërdorur detyrën, duke marrë para ruse, ka tronditur politikën amerikane. Në vazhdën e këtyre akuzave vjen një reagim i fortë nga prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Merrick Garland.”

Në këtë paragraf, deklarata e kryeprokurorit është trajtuar si reagim, kur në fakt ishte përgjigje ndaj një pyetje që iu bë në Senat, ku për më tepër nuk u përmend emri i Charles McGonigal.

Më pas, citohet fjala e Garland, e cila është nxjerrë nga konteksti, ose është interpretuar në kontekstin e dëshiruar nga autori i shkrimit.

Po ashtu, ajo që bie në sy është fakti që të gjitha mediat që e kanë trajtuar rastin, kanë të njëjtin tekst, të përgatitur nga e njëjta dorë duke shtuar kështu mundësitë që dezinformimi është bërë me qëllim.

Si përfundim, deklaratat e kryeprokurorit të përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishin me interes për qytetarët shqiptarë, pasi në atë seancë pritej të diskutohej çështja McGonigal. Por ndodhi që ish-zyrtari i FBI-së nuk u përmend dhe ajo që u transmetua te qytetarët ishte thjesht një interpretim i asaj që ai përmendi për një rast tjetër.

Mediat mund ta raportonin si çështje, mund edhe të hiqnin paralele mes dy rasteve në mënyrë të dukshme, por jo duke përdorur tituj sensacionalë, sugjerues dhe duke i raportuar interpretimet e tyre rreth deklaratës si fakte.