zoom

Politikë

Lufta në Ukrainë/Kuvendi i Shqipërisë miraton rezultën, ja çfarë parashikon

Kuvendi miratoi sot në seancë plenare me 123 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, rezolutën për mbështetjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës dhe mbrojtjen e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të sigurisë evropiane.

Në rezolutën e miratuar dënohet agresioni ushtarak rus në Ukrainë dhe shkelja e rëndë nga ana e Federatës Ruse të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës, si një akt që dhunon rendin ndërkombëtar.

Njëkohësisht përmes saj nxitet dhe mbështetet veprimtaria diplomatike dhe masat e marra nga qeveria shqiptare, në bashkërendim me aleatët tanë strategjikë, SHBA dhe BE, në mbështetje të sovranitetit të Ukrainës dhe të parimeve të sigurisë evropiane dhe rendit global të marrëdhënieve midis shteteve.

Përmes kësaj rezolute mbështeten sanksionet ekonomike dhe masat diplomatike të ndërmarra nga partnerët strategjikë ndaj Federatës Ruse dhe ndihmën ushtarake dhe humanitare për Ukrainën dhe popullin e saj.

Nga ana tjetër në rezolutë bëhet thirrje për ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të forcës nga Federata ruse në Ukrainë dhe për tërheqjen e forcave ushtarake ruse nga territori i Ukrainës sipas kufijve të njohur ndërkombëtarisht.

Më poshtë teksti i plotë i rezolutës për mbështetjen e sovranitetit dhe të tërësisë territorial të Ukrainës për mbrojtjen e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të sigurisë evropiane:

– Duke u bazuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit dhe dokumentet e OSBE-së që e kanë pasuar atë, Memorandumin e Budapestit të vitit 1994 mbi Garancitë e Sigurisë lidhur me aderimin e Ukrainës në Traktatin e Mospërhapjes së Armëve Bërthamore, Marrëveshjet e Minskut të vitit 2014 dhe paketën e masave në zbatim të tyre të nënshkruar në vitin 2015;

– Duke shprehur shqetësim të thellë për faktin se vlerat e bashkëjetesës paqësore mes popujve, demokracia dhe të drejtat e njeriut, të promovuara në Evropë dhe në botë, pas Luftës së dytë Botërore, janë cenuar rëndë nga agresioni ushtarak i Federatës Ruse kundër Ukrainës;

– Në mbështetje të sovranitetit, tërësisë territoriale dhe zhvillimit demokratik të Ukrainës;

– Në mbështetje të plotë qëndrimit të vendeve të tjera në të gjithë botën, që aspirojnë e mbrojnë vlerat demokratike, në përputhje të plotë me politikën e përbashkët të jashtme e të sigurisë të Bashkimit Evropian, përfshirë vendimet e Bashkimit Evropian për masa shtrënguese;

– Në respekt dhe nën përgjegjësinë të rolit të Shqipërisë si anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për periudhën 2022-2023;

– Duke marrë në konsideratë rrezikun e ndikimit në rajonin tonë të agresionit rus në Ukrainë me pasojë demotivimin e perspektivës euroatlantike të rajonit për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Evropë;

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

– Dënon me forcë agresionin ushtarak rus në Ukrainë dhe shkeljen e rëndë nga ana e Federatës Ruse të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës, si një akt që dhunon rendin ndërkombëtar, duke shkelur hapur dhe në mënyrë flagrante Kartën e Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit, Memorandumin e Budapestit, Marrëveshjet e Minskut, si dhe një sërë dokumentesh të tjerë ndërkombëtarë dhe dypalësh që Rusia ka firmosur me vullnet të lirë.

– Nxit dhe mbështet veprimtarinë diplomatike dhe masat e marra nga qeveria shqiptare, në bashkërendim me aleatët tanë strategjikë, SHBA dhe BE, në mbështetje të sovranitetit të Ukrainës dhe të parimeve të sigurisë evropiane dhe rendit global të marrëdhënieve midis shteteve.

– Mbështet sanksionet ekonomike dhe masat diplomatike të ndërmarra nga partnerët strategjikë ndaj Federatës Ruse, dhe ndihmën ushtarake dhe humanitare për Ukrainën dhe popullin e saj.

– Bën thirrje për ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të forcës nga Federata ruse në Ukrainë dhe për tërheqjen e forcave ushtarake ruse nga territori i Ukrainës sipas kufijve të njohur ndërkombëtarisht.

– Dënon me forcë agresionin ushtarak rus ndaj Ukrainës, duke vlerësuar se aktet kundër civilëve të pafajshëm janë krime lufte dhe se shkaktarët e këtij agresioni duhet të përballen me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Kuvendi i kërkon Qeverisë që:

– Të vazhdojë angazhimin, në bashkërendim të ngushtë me të gjitha vendet aleate dhe partnere në NATO, BE, KS të OKB, OSBE, KiE, në rajonin e Ballkanit dhe me partnerë të tjerë, në mbështetje të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës dhe të parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të sigurisë evropiane;

– Të forcojë me prioritet përpjekjet për integrimin evropian të vendit dhe rajonit si mbështetje e pazëvendësueshme për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Evropë.