Aplikacion
Në një mesazh të fuqishëm gjatë meshës së shenjtë në katedralen e Shkodrës, famullitari Dom Vlash Palaj ka reaguar me shqetësim ndaj zhvillimeve të fundit në zonën e Thethit, ku tensionet mes banorëve dhe autoriteteve shtetërore kanë marrë përmasa të pazakonta.
“Ligji nuk është mbi njerëzimin dhe as mbi Zotin,” u shpreh Dom Vlash Palaj, duke denoncuar mënyrën si, sipas tij, po trajtohen banorët e Thethit nga institucionet. “Banorët i mashtruan, i rrejten, i përdorën dhe sot po bëjnë çfarë të duan me ta, duke pretenduar se janë Zoti.”
Kleriku nuk përmendi drejtpërdrejt institucione apo emra konkretë, por fjala e tij u mor si një qëndrim i fortë në mbështetje të komunitetit lokal.
Deklarata e famullitarit vjen në një kohë kur Thethi ndodhet në qendër të vëmendjes për shkak të përplasjeve të ashpra mbi të drejtat e pronësisë, kufizimet e lëvizjes dhe ndërhyrjet në zonat e mbrojtura.
“Zoti është drejtësia dhe e vërteta. Askush nuk ka të drejtë të zhveshë njeriun nga dinjiteti dhe trashëgimia e tij.” – përfundoi mesazhin Dom Vlash Palaj.