zoom

Të gjitha

“Lekët ose…”/ 3 të rinj dhunojnë 20-vjeçarin në Elbasan, i marrin 2000 euro

Një 20-vjeçar është dhunuar nga tre të rinj, të cilët më pas i kanë marrë një shumë prej 2000 eurosh. Tre të rinjtë, të cilët janë arrestuar, kanë kanosur me jetë 20-vjeçarin në Elbasan.

Tre persona të tjerë janë vënë nën hetim për moskallëzim krimi.

Në kuadër të operacionit “Postimi”, strukturat e DVP Elbasan, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, kanë arrestuar në flagrancë shtetasit: D. R., 23 vjeç, E. B.(S), 25 vjeç dhe F. Ç., 26 vjeç, të tre banues në Elbasan.

“Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë dhunuar dhe kanosur me jetë shtetasin A. A., 20 vjeç, banues në Belsh dhe i kanë marrë atij shumën 2000 euro, pasi ai kishte postuar në rrjetin social instagram, automjetin e shtetasit D. R”, thuhet në njoftimin e bluve.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit D. R., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 74 doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, 2 peshore elektronike, 1 radio marrëse-dhënëse dhe 2 automjete.

Në vijim të veprimeve janë referuar materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasit: A. K., 43 vjeç, A. H., 51 vjeç, A. B., 29 vjeç, të tre banues në Elbasan, pasi kanë patur dijeni për ngjarjen dhe nuk kanë kallëzuar në Polici./ Zoom.al