zoom

Slider

Laçi argëtohet me Teutën, regjistron fitoren më të thellë në këtë prolog të Superiores

Laçi argëtohet me Teutën, regjistron fitoren më të thellë në këtë prolog të Superiores

Laçi argëtohet dhe bind në shtëpi ndaj Teutës, me kurbinasit të cilët shijuan fitoren e parë sezonale në javën e tretë të kampionatit.

Skuadra e Bejzades triumfoi 6-1 ndaj të besuarve të Diego Longo-s, në një ndeshje të dominuar nga “bardhezinjtë”.

Durrsakët rezistuan vetëm nëntë minuta, me Sobowale që kaloi në avantazh Laçin. Vendasit e shfrytëzuan në maksimum momentin e mirë dhe në minutën e 24-të dyfishuan me mesfushorin Ujka.

Teuta bëri pak në fraksionin e parë për të ndryshuar panoramën e sfidës, ndërsa kurbinasit i shkuan pranë golit të tretë, madje duke gjetur edhe traversën në minutën e 31-të.

2-0 dhe kështu u mbyll pjesa e parë, ndërsa në 45 minutat e dyta, Laçi tregoi sërish forcën dhe realizoi edhe katër herë të tjera.

Pas dhjetë minutash lojë, William çoi rezultatin në 3-0, ndërsa në minutën e 61-të, vendasit festuan përsëri, këtë herë golin e katërt të realizuar nga Bajramaj.

“Poker” i Laçit dhe Teuta u dorëzua pa kushte dhe “bardhezinjtë” shkundën përsëri rrjetën e durrsakëve, me Ujkën që shënoi golin e pestë për kurbinasit dhe të dytin personal.

Në kohën shtesë, skuadra e Longo-s shënoi golin e “nderit” me Gjatën që realizoi një gol mjaft të bukur, por në fund shërbeu vetëm në aspektin personal.

Teksa ndeshja u vulos nga Myrta në minutën e 90+2′, që shënoi golin e gjashtë për Laçin.

Në fund 6-1, fitorja e parë e Laçit dhe një sinjal i fortë nga skuadra e Bejzades që shkon kështu në kuotën e 4 pikëve në vendin e gjashtë, ndërsa Teuta pëson humbjen e parë sezonale dhe në dy ndeshjet e luajtura krenohet me vetëm një pikë duke zbritur në vendin e nëntë. /zoom.al/