zoom

Lajme

Ku po shkon PD? Kur njeriu i pluralizmit vret demokracinë

Ku po shkon PD? Kur njeriu i pluralizmit vret demokracinë

Se kush do të jetë kryetari i Partisë Demokratike edhe në këtë mandat, askush nuk ka pasur dilemën më të vogël. Me garë apo pa garë, me referendum apo pa të, Sali Berisha mbetet lideri i padiskutueshëm i kësaj force politike derisa ai vetë të vendosë ndryshe. Por në këtë realitet, çështja nuk është më emri i drejtuesit, por ku po shkon PD-ja nën sundimin absolut të liderit të saj historik?

Nga Zoom.al

Askush nuk priste që emra si Ervin Salianji apo figura të tjera kritike të lejoheshin të sfidonin realisht Berishën. Ishte e ditur botërisht se nuk do t’i lejonte të hynin në një fushë ku ai ndihet i pakonkurrueshëm. Por drama e vërtetë nuk qëndron te përjashtimi i kundërshtarëve, por te asfiksimi i pasardhësve. Berisha nuk lejoi garë as për ata që mund të ishin trashëgimtarët e tij politikë, duke dështuar sërish të prodhojë një lidership të ri përmes konkurrencës reale. Ai thjesht zgjodhi të qëndrojë për veten e tij.

Ndonëse demokratët do ta votojnë masivisht, disa prej nostalgjisë e të tjerë prej mungesës së alternativës, ky rikonfirmim nuk pritet të prodhojë asnjë risi. Përkundrazi, ai betonon status quo-në dhe rrudh shpresën se PD mund të ndryshojë veten, e për rrjedhojë, edhe Shqipërinë.

Sot Partia Demokratike gjendet në udhëkryqin fatal mes një force që kërkon mbijetesën përmes nostalgjisë dhe një shoqërie që kërkon rotacion. Duke mbajtur të njëjtin lider prej tre dekadash, PD po shndërrohet nga një parti që synon pushtetin duke bindur shumicën, në një sekt besnikësh që mjaftojnë për ta mbajtur edhe për fare pak kohë si forcë me peshë në skenën politike.

Me një bazë solide prej 20-25%, Berisha mund të sigurojë një opozitë të përjetshme komode, por e ka të pamundur të rritet. Por në politikë nuk ka hapësirë boshe. Nëse PD nuk hapet ndaj rinisë dhe elektoratit gri, ata do të kërkojnë përfaqësim gjetkë. Rinia e sotme nuk e kupton më retorikën antikomuniste të vitit ’91 apo luftën ndaj “bijve të etërve”.

Duke bllokuar rotacionin, Berisha po u dhuron një mundësi të artë forcave të reja politike që nuk kanë mbi shpinë konsumin e 35 viteve histori. Rreziku që PD të përfundojë si PASOK-u në Greqi, si një pjesë e vogël e një mozaiku të fragmentuar opozitar, është më real se kurrë.

Arnold J. Toynbee, historiani i madh i shekullit të kaluar, shkroi se “qytetërimet vdesin nga vetëvrasja, jo nga vrasja”. Kjo thënie duket si parashikimi më i saktë për fatin e PD-së. Njësoj, partitë politike zhduken nga gabimet e tyre të brendshme, jo nga lufta me kundërshtarin.

Sali Berisha hyri në histori si njeriu që përmbysi komunizmin, por 35 vite më vonë, ai po bëhet protagonisti i një realiteti ku demokracia po përdoret për të bllokuar qarkullimin e elitave brenda shtëpisë së demokracisë.

Për të kuptuar se sa jashtë orës botërore është PD-ja e sotme, mjafton të shohim busullën tonë strategjike dhe modelin e demokracisë, SHBA-në. Që prej vitit 1991 Amerika ka ndryshuar 7 Presidentë: G.H.W. Bush, Clinton, G.E. Bush, Obama, Trump, Biden dhe sërish Trump. Partia Republikane ka ndryshuar 16 kryetarë.

Edhe në Evropë dinamika është e ngjashme. Simotra e PD-së në Greqi, Nea Demokratia, ka ndryshuar 7 liderë, ndërsa Konservatorët britanikë kanë ndryshuar 5 liderë vetëm në dekadën e fundit. 

Shqipëria mbetet ndërkohë peng i një duopoli. Sali Berisha ka 26 vite në krye të PD-së, ndërsa Edi Rama 21 vite në krye të PS-së, një çift thinjoshësh që refuzon të pranojë se koha e tyre ka mbaruar.

Nëse qëllimi i kësaj “garë pa garë” në PD është thjesht mbajtja e vulës, misioni është i kryer. Por nëse synohet rrëzimi i një pushteti që akuzohet për arrogancë, opozita po bëhet pasqyra e po asaj arrogance brenda llojit.

Duke mos lejuar pasardhësit të rriten, njeriu i demokracisë së ’91-shit po tregon se për të, demokracia është e mirë vetëm për sa kohë ai qëndron në fron dhe se froni është më i rehatshëm se çdo karrige, sado i vogël të bëhet. 

Postime të lidhura