Aplikacion
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shpërthyer në akuza ndaj ish-deputetit Ervin Salianji, duke e cilësuar atë si të lidhur me Partinë Socialiste dhe duke e akuzuar se ka ndërmarrë lëvizje politike për të devijuar vëmendjen nga çështje të qeverisë.
Gjatë një bashkëbisedimi me mbështetës, Berisha u pyet për rikthimin e tij në krye të PD-së, duke theksuar se vendimi u mor për të mos lejuar që partia të binte “në duart e Edi Rama”. Ai sulmoi gjithashtu ish-kreun demokrat Lulzim Basha, ndërsa për Salianjin tha se “përsërit fatin e Lul Bravës”.
Berisha deklaroi se lëvizja e Salianjit brenda PD-së kishte si qëllim të “sfumonte” skandale të lidhura me qeverinë, duke përmendur edhe ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Ai shtoi se Salianji ka pasur lidhje me figura pranë mazhorancës, përfshirë edhe Taulant Balla, si dhe përmendi takime dhe kontakte të pretenduara me persona të tjerë të përfshirë në çështje hetimore.
”Në Elbasan sallën ia mbushën Suel Cela. Edhe ky përsërit fatin e Lul Bravës, a mund të imagjinosh se vazhdon e drekon me Taulant Ballën. Të kujtohet takimi i Lul Bravës me Ballën. Pra cfarë mendon ti se kur doli? Kur doli ky? Ky doli në momentin më kritik për Lubi Ballukun, dhe nisi një lëvizje vetëm për të krijuar zhurmë mediatike, për të sfumuar opinionin publik te Lubi Balluku. E birësuan”, tha Berisha.
Nga ana tjetër, reagimi i Ervin Salianji ishte i menjëhershëm dhe i ashpër. Ai ironizoi Berishën duke e quajtur “Sali kolltuku” dhe hodhi poshtë çdo akuzë për lidhje me mazhorancën.
Salianji theksoi se nuk ka qenë dhe nuk do të jetë pjesë e “pazareve politike”, duke shtuar se ka qëndruar gjithmonë përballë pushtetit dhe jo në shërbim të tij. Ai akuzoi Berishën për humbje të lidhjes me realitetin dhe për përpjekje për të shmangur përgjegjësinë për humbjet politike.
Ish-deputeti shkoi më tej duke e sfiduar liderin demokrat të përballet në garë, ndërsa e akuzoi për bashkëpunim me kryeministrin Edi Rama në çështje reformash, koncesionesh dhe përfitimesh.
Në fund, Salianji deklaroi se “regjimi Rama-Berisha është i përbuzur nga shqiptarët”, duke paralajmëruar përballje të drejtpërdrejtë politike dhe duke theksuar se nuk do të tërhiqet nga qëndrimet e tij.
Reagimi i Salianjit:
Përgjigje Sali kolltukut; 36 vite në pushtet në kurriz të demokratëve i kanë krijuar mendësinë që kushdo ka detyrim të jetë skllav i tij.
Nuk ka asgjë më të vjetër në politikë sesa kur dikush që ka humbur lidhjen me realitetin përpiqet të shpikë armiq për të fshehur frikën nga gara.
Të më krahasosh me këdo tjetër është mënyra më e lehtë për të shmangur thelbin: sot problemi nuk janë demokratët që duan fitore, por fakti që një pjesë e lidershipit ka humbur besimin e njerëzve dhe po i trembet çdo zëri ndryshe.
Unë nuk kam përfunduar në “krahët” e askujt. Isha dhe jam i lirë, siç edhe sot po them atë që të gjithë mendojnë: e përbuzin Sali kolltukun për uzurpimin që i ka bërë Partisë Demokratike, por e shajnë me rrënjë e degë vetëm në tavolina. Nuk kam qenë dhe nuk do të jem kurrë pjesë e pazareve. Kam qenë përballë pushtetit, jo në shërbim të tij. Dhe për këtë kam paguar çmim personal.
Ata që sot flasin për “fate” të të tjerëve duhet të shohin fatin e tyre politik: një lidership që nuk frymëzon më, që nuk fiton më dhe që i shmanget çdo përballjeje reale.
Kur nuk ke përgjigje për dështimin, shpik histori.
Kur nuk ke mbështetje, sulmon këdo që ngrihet.
Të kuptoj që unë jam problemi yt, sepse me Ramën je ulur këmbëkryq për reforma, je ulur për leje, licenca, koncesione, përfitime. Dil e fol për Ermal Beqirin, për lejet e familjarëve të tu në Lalëz, në gjysmën e Tiranës, në jug e kudo në Shqipëri.
Sa për gysrat, pyet fare afër teje si i kanë ndarë pazaret, përfshirë edhe ndërhyrjen te gjykata për dënimin tim. Për Olti Gjoken që përmend, t’i themi disa gjëra: kur erdhe në burg, nuk erdhe të më takoje mua, por kërkove të takoje këta. Nuk është faji im që edhe këta i kishe gënjyer dhe nuk të dolën në takim.
Lulzim Bashën e solle e mbajte dhe ta fali partinë. Me mua i ke bërë hesapet gabim: do të çmontoj ty dhe autokratin e qeverisë. Regjimi Rama-Berisha është i përbuzur nga shqiptarët! Dhe meqë ke mbështetje, dil në garë, mos u fshih si frikacak.
Festa e çmendur për titullin botëror të Spanjës përfundon në tragjedi, humb jetën 13-vjeçari