Aplikacion
Afati për dorëzimin e kandidaturave për drejtimin e Partia Demokratike e Shqipërisë përfundon këtë të enjte në orën 12:00, ndërsa deri tani gara paraqitet pa konkurrencë.
Në listën e kandidatëve figuron vetëm Sali Berisha, i cili synon një tjetër mandat katërvjeçar në krye të forcës më të madhe opozitare në vend.
Kriteret e përcaktuara në udhëzimin e 18 marsit kërkojnë që aspirantët të kenë jo më pak se 10 vite anëtarësi në PD, eksperiencë të konsoliduar drejtuese dhe një profil të lartë publik. Gjithashtu, kandidatët duhet të kalojnë filtrin e ligjit të dekriminalizimit dhe të paraqesin dokumentacionin e plotë, përfshirë CV-në dhe formularin e vetëdeklarimit për pastërtinë e figurës.
Zgjedhjet për kryetarin e partisë janë caktuar të mbahen më 23 maj, ndërsa vetëm pak ditë më pas, më 30 maj, do të zhvillohet Kuvendi Kombëtar, ku pritet të diskutohen drejtimet politike dhe organizative të PD-së.
Edhe pse ish-deputeti Ervin Salianji ka shprehur publikisht interes për të hyrë në garë, drejtuesit e PD-së kanë sqaruar se ai nuk mund të kandidojë, pasi është i përjashtuar nga partia.
Në këtë situatë, procesi i 23 majit pritet të formalizojë rikandidimin e vetëm të Sali Berisha, i cili vazhdon të mbetet figura qendrore e PD-së që prej themelimit të saj në vitin 1990, me ndërprerje të shkurtra gjatë viteve.