zoom

Lajme

Gara në PD/ Mereme Sela kundërshton skualifikimin: Vendim i padrejtë, do e ndjek në rrugë ligjore

Gara në PD/ Mereme Sela kundërshton skualifikimin: Vendim i padrejtë, do e ndjek në rrugë ligjore

Kandidatja për drejtimin e Partia Demokratike e Shqipërisë, Mereme Sela, ka reaguar publikisht pas vendimit për përjashtimin e saj nga gara, duke e cilësuar këtë proces si të padrejtë dhe të papranueshëm.

Në reagimin e saj, Sela shprehet se njoftimi për skualifikimin nuk i është komunikuar zyrtarisht, por e ka mësuar përmes mediave, çka sipas saj përbën një shkelje të standardeve minimale të transparencës.

Ajo thekson se vendimi nuk ka bazë të drejtë dhe bie ndesh me rregullat e brendshme të partisë. Sipas Selës, nëse do të kishte një vlerësim objektiv dhe në përputhje me statutin, atëherë subjekt shqyrtimi do të duhej të ishte vetë Sali Berisha.

Duke kundërshtuar hapur këtë vendim, kandidatja paralajmëron se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore në dispozicion, përfshirë paraqitjen e një ankese zyrtare ndaj strukturave përkatëse të partisë.

“Njoftimin për skualifikimin e kam marrë përmes mediave, çka në vetvete është e papranueshme. Ky vendim është i padrejtë dhe i pajustifikuar.

Përkundrazi, nëse do të kishte një vlerësim të drejtë dhe në përputhje me statutin e partisë, personi që duhej të ishte subjekt skualifikimi është profesori Berisha.

Për këtë arsye, do të ndjek të gjitha procedurat ligjore në dispozicion dhe do të paraqes ankesën time zyrtare. Megjithatë, bazuar në përvojat e mëparshme, nuk pres një reagim apo përgjigje serioze nga Partia Demokratike, pasi kjo ka qenë një praktikë e përsëritur ndër vite.
Kjo mënyrë veprimi është një ndër arsyet kryesore pse Partia Demokratike ndodhet në këtë situatë sot. Duke iu falenderuar per mbeshtetjen!”, deklaroi ajo./ Zoom.al

Postime të lidhura