zoom

Lajme

Gara për kreun e PD/ Berisha i vetmi kandidat, drejt një mandati të ri si kryetar

Gara për kreun e PD/ Berisha i vetmi kandidat, drejt një mandati të ri si kryetar

Afati për dorëzimin e kandidaturave për postin e kryetarit të Partia Demokratike e Shqipërisë pritet të mbyllet nesër në mesditë, ndërsa deri në këtë moment në garë figuron vetëm Sali Berisha.

Ish-kryeministri duket se do të garojë i vetëm për drejtimin e partisë në katër vitet e ardhshme, nëse deri në afatin përfundimtar nuk paraqiten kandidatura të tjera.

Sipas rregullave të miratuara më 18 prill, çdo kandidat duhet të plotësojë disa kritere të përcaktuara, si anëtarësia prej të paktën një dekade në parti, eksperiencë të spikatur politike dhe drejtimi, si dhe të mos jetë subjekt i ligjit të dekriminalizimit.

Zgjedhjet për kryetarin e ri janë caktuar të zhvillohen më 23 maj, vendim i marrë nga strukturat drejtuese të PD që në mesin e muajit mars.

Megjithëse më herët kishte shprehur publikisht dëshirën për të kandiduar, ish-deputeti Ervin Salianji nuk do të jetë pjesë e garës, pasi sipas qëndrimit zyrtar të partisë, ai është përjashtuar dhe nuk i plotëson kushtet për kandidim.

Në këto rrethana, procesi zgjedhor pritet të jetë formal, me Berishën që synon të marrë sërish besimin e anëtarësisë për të drejtuar opozitën në vitet në vijim./ Zoom.al

Postime të lidhura