zoom

Aktualitet

Kodi i ri Penal ndez alarmin/ Burg për gazetarët, kolaudimin dhe dëmtimin e organeve gjenitale

Kodi i ri Penal ndez alarmin/ Burg për gazetarët, kolaudimin dhe dëmtimin e organeve gjenitale

Qeveria ka paraqitur për konsultim një projekt të ri të Kodit Penal që ka shkaktuar debat të gjerë në publik dhe media për shkak të ndryshimeve të thella që parashikon. Drafti përfshin dënime të reja për një gamë të gjerë veprimesh, që nga komentet publike për drejtësinë deri te moskolaudimi i makinës, duke u cilësuar nga disa juristë si “penalizues dhe represiv”.

Komentet kritike ndaj gjykatave – deri në 3 vjet burg

Një nen i ri, i panjohur më parë në legjislacion, parashikon deri në tre vjet burg për persona që, përmes komenteve publike apo editorialeve, dyshohet se ushtrojnë presion ndaj gjykatave, duke ndikuar në procesin gjyqësor ose krijuar “rrethana shtypëse”. Kjo ka ngjallur shqetësim të veçantë për lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias.

Gazetarët dhe publikimi i informacionit – deri në 5 vjet burg

Një tjetër nen i kontestuar parashikon dënime deri në pesë vjet burg për publikimin e të dhënave që lidhen me hetime, arrestime, vendndodhje personash apo dokumente penale. Nëse ky informacion publikohet në media apo rrjete sociale, dënimi mund të rritet me një të tretën. Kjo dispozitë është cilësuar si kërcënim serioz për transparencën dhe lirinë e shtypit.

Burg për moskolaudimin e makinës

Projektligji parashikon gjithashtu deri në dy vjet burg për ata që nuk kryejnë kontrollin teknik të mjeteve, nëse kjo sjell rrezik për jetën apo ndotje mjedisore.

Dënime të tjera të përfshira në draft:

  • Gjymtimi i organeve gjenitale femërore: dënohet me 4 deri në 12 vjet burg. Përfshihen prerjet, infibulimi dhe çdo gjymtim tjetër, si dhe nxitja apo detyrimi për t’u nënshtruar këtyre praktikave.
  • Bigamia: dënohet me gjobë ose deri në tre vjet burg. Në rast përsëritjeje, dënimi rritet deri në katër vjet, edhe nëse fakti ka ndodhur jashtë vendit.
  • Dëmtimi i shtresës së ozonit: përdorimi apo tregtimi i substancave që dëmtojnë ozonin ose përmbajnë gazra serrë mund të dënohet me 2 deri në 7 vjet burg, përveç gjobës.

Reagime dhe shqetësime

Projektligji është pritur me kritika të forta nga juristë, organizata për të drejtat e njeriut dhe gazetarë, të cilët theksojnë se shumë nga dispozitat e reja cenojnë drejtpërdrejt të drejtat themelore, si ajo e shprehjes, informimit dhe lirisë së medias. Pyetjet kryesore që ngrihen lidhen me balancën mes garantimit të rendit publik dhe mbrojtjes së lirive individuale./ Zoom.al

Postime të lidhura