Aplikacion
Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me thirrjen e disa shoqatave të gazetarëve për ndërhyrje të menjëhershme në draftin e Kodit të Ri Penal.
Në një deklaratë publike, Rama theksoi se shqetësimet e ngritura tregojnë mungesë informacioni mbi natyrën dhe fazën ku ndodhet aktualisht procesi.
Sipas Kryeministrit, drafti i ri nuk është hartuar nga Ministria e Drejtësisë apo Këshilli i Ministrave, por nga një grup i pavarur ekspertësh, të udhëhequr nga drejtori i Shkollës së Magjistraturës, profesor Arben Rakipi. Rama sqaroi se qeveria, në këtë fazë, është vetëm një nga palët që do ta shqyrtojë dhe analizojë draftin përpara se të japë qëndrimin e saj.
“Në vend që të alarmohen, shoqatat e shtypit duhet të ndihen të lehtësuara dhe të respektuara, sepse kanë gjithë kohën e nevojshme për të studiuar draftin dhe për të ballafaquar opinionet e tyre me grupin e ekspertëve,” u shpreh Rama. Ai theksoi se procesi është plotësisht demokratik dhe transparent, dhe se të gjitha palët e interesuara janë të mirëpritura të japin kontributin e tyre.
Kryeministri gjithashtu siguroi se drafti nuk do të kalojë në Kuvend pa u konsultuar më parë me Komisionin Europian dhe pa marrë miratimin e Brukselit, duke shtuar se “në Shqipërinë që po shkon në BE dhe jo në BRSS, askujt nuk i vjen e keqe nga një proces i tillë”.
Reagimi i Ramës vjen mes polemikave për disa nene të diskutueshme të Kodit të Ri Penal, të cilat janë interpretuar nga organizatat e gazetarëve si kërcënim për lirinë e medias. Kryeministri i ftoi të gjitha palët të shmangin deklaratat e nxituara dhe të përfshihen seriozisht në procesin e konsultimit. Zoom.al/
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit