zoom

In Zoom

Reagimi i Ramës për Kodin Penal, një manovër politike që shmang thelbin

Reagimi i Ramës për Kodin Penal, një manovër politike që shmang thelbin

Reagimi i Kryeministrit Edi Rama ndaj kritikave për draftin e ri të Kodit Penal është më shumë një manovër politike sesa një sqarim institucional.

I artikuluar me ironi, përçmim ndaj kritikëve dhe përpjekje për të relativizuar procesin, ai nuk u përgjigjet pyetjeve thelbësore që kanë ngritur prokurorë, avokatë dhe shoqata gazetarësh.
Qeveria, sipas Kryeministrit, nuk ka asnjë përgjegjësi për draftin, përkundrazi, ajo shfaqet si një palë e zakonshme në proces, që ende po “studion” tekstin. Në të vërtetë, është pikërisht Ministria e Drejtësisë që ka porositur dhe mbështetur grupin e punës që ka hartuar draftin, nën drejtimin e Prof. Arben Rakipit.

Të pretendosh se qeveria nuk ka rol, vetëm sepse nuk ka shkruar vetë me dorë nenet e draftit, është një shmangie taktike nga përgjegjësia politike.
Por më problematik është toni. Në vend të një ftese për dialog institucional, Rama zgjedh t’i quajë kritikët “zhurmues” që japin “deklarata qesharake”. Shoqatat e gazetarëve, që kanë ngritur shqetësime të ligjshme mbi nenet që parashikojnë dënime me burg për publikimin e informacioneve të ndaluara, përçmohen me fraza si “rrini të qetë” apo “nuk jemi në BRSS”. Ironia, këtu shërben si mbulesë për mungesën e një debati të vërtetë dhe kjo është e dukshme.

Ndërkohë, zërat më të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela dhe kryetari i Dhomës së Avokatisë, Maksim Haxhia, janë shprehur qartë se nuk janë përfshirë në hartimin e draftit. Po ashtu edhe kreu i SPAK, Altin Dumani. Nëse këto institucione janë lënë jashtë një reforme kaq themelore, si mund të quhet ky një proces gjithëpërfshirës? Dhe si mund të ketë besim publik në një kod që prek lirinë e fjalës, të drejtën për mbrojtje dhe standardet penale të vendit në prag të anëtarësimit në BE?


Përveç shmangies së përgjegjësisë dhe banalizimit të kritikës, Kryeministri po deformon e edhperceptimin publik, në mos po përgatit edhe terrenin që të ndërhyjë si “shpëtimtar” për t’u dhënë përgjigje shqetësimeve kur kritikët ta kenë ezauruar frymën duke folur për një draft sa absurd aq edhe të rrezikshëm. / Zoom.al

Postime të lidhura